Zgjedhjet e 8 majit, Ina Rama mbledh prokurorët

Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e Prokurorive të rretheve si dhe prokurorive të Apelit. Në qendër të këtij takimi ishin masat organizative që duhet të merren nga Prokuroria Shqiptare për përballimin me sukses të procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore të 8 majit.
Në fjalën e saj Prokurorja e Përgjithshme, theksoi se është detyrë e organit të akuzës që të ushtrojë kompetencat e tij në funksion te garantimit të një procesi zgjedhor të lirë, transparent dhe demokratik.
“Në kushtet kur gjatë zhvillimit të kësaj fushate elektorale vihet re një shtim i fenomenit shqetësues të incidenteve që lidhen me zgjedhjet, është e domosdoshme, jo vetëm për ndjeshmërinë e opinionit publik por dhe për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, që Prokuroria t`i përgjigjet kësaj situate me shtimin e gadishmërisë dhe marrjen e masave tekniko-organizative” theksoi më tej Rama.
Më tej kryeprokurorja theksoi se Prokuroria Shqiptare, si një institucion i pavarur, duhet të kryejë me paanësi detyrën e saj kushtetuese dhe në të gjitha rastet e shkeljes së ligjit në nivelin e një vepre penale, të kryera qoftë nga zgjedhësit,apo nga anëtarë të organeve që janë të ngarkuara nga ligji me kryerjen e procesit zgjedhor, duhet të garantojë se do të bëjë proces hetimor professional, të paanshëm dhe larg çdo ndikimi politik.
Në vijim të takimit me drejtuesit e prokurorive, Ina Rama, vuri theksin në masat që duhen marrë në përballimin e kësaj situate në bashkëpunim me strukturat e policisë së shtetit dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit. Gadishmëria e çdo punonjësi, prokuror apo oficer i policisë gjyqësore për t`iu përgjigjur në kohë dhe në lartësinë e duhur çdo rasti që paraqitet, mbetet prioritet kryesor, u shpreh Znj. Ina Rama, por në përballimin me sukses të detyrave në këtë situatë merr rëndësi rritja e efikasitetit dhe profesionalizmit në hetimin e secilës çështje.
Në përfundim të takimit me drejtuesit e organit të akuzës, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, theksoi se Prokuroria Shqiptare duhet të ushtrojë funksionet e saj në përmbushje të detyrimeve kushtetuese në këtë proces duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë që ligji i ngarkon për mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës në vendin tonë.