E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e pjesshme, PD prezanton kandidatët

Kryesia e PD-së zgjedh kandidatët për kryetarët e komunave dhe bashkive

TIRANË - Partia Demokratike ka paraqitur listën e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme lokale, që do të mbahen më 15 nëntor. Kryesia e selisë blu ra dje dakord për kandidaturat që do të garojnë për kryetarët e komunave dhe bashkive.


Kandidat për kryetar në minibashkinë nr. 10 në Tiranë do të jetë Blendi Fuga, i cili do të vendoset përballë kandidatit të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Gjergji Thomai.


Në Fierzë do të kandidojë Gjelosh Peplokaj, ndërsa në komunën Otllak të Beratit do të garojë Muharrem Hoxha, për të zënë vendin e ish - kryetarit të kësaj komune, Lefter Maliqi, tashmë deputet i Parlamentit. Në Klos do të kandidojë Ramazan Mjeshtri dhe në Fushë-Arrës Alfred Qasa.


Përballë kandidatëve të lartpërmendur do të vihen edhe kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila deri më tani ka prezantuar vetëm njërin prej tyre, që është kandidati për minibashkinë nr. 10 në Tiranë, Gjergji Thomai.


LSI-ja së bashku me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila dy ditë më parë dorëzoi listën me emrat e kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, do të luajnë rolin e vetëm opozitar ndaj Partisë Demokratike në këto zgjedhje, pasi partia më e madhe opozitare në vend, ajo Socialiste, ka vendosur t'i bojkotojë zgjedhjet e 15 nëntorit.


Këtij qëndrimi i janë bashkëngjitur edhe partitë e djathta opozitare si Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, e drejtuar nga Dashamir Shehi dhe Partia Demokristiane, e drejtuar nga Nard Ndoka.


Të dy krerët e kësaj partie i kanë cilësuar zgjedhjet që do të mbahen më 15 nëntor, si një farsë elektorale, pasi sipas tyre ato do të manipulohen sërish nga pushteti politik në fuqi ashtu siç bëri me zgjedhjet e Qershorit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›