E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet e pjesshme të 9 Nëntorit, KQZ nis shpërndarjen e materialeve zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar shpërndarjen e materialeve zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme që do të zhvillohen më 9 nëntor 2025 në pesë bashkitë: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.

Kjo e premte shënon edhe mbylljen e fushatës elektorale, ndërkohë që materialet zgjedhore tashmë janë shpërndarë në të gjitha bashkitë, duke përfshirë fletët e votimit, kutitë e votimit, proces-verbalet, dhomat e fshehtësisë dhe të gjitha pajisjet e tjera që garantojnë zhvillimin e procesit në përputhje me Kodin Zgjedhor.

Dy ditë më parë, KQZ testoi me sukses edhe pajisjet e identifikimit elektronik të zgjedhësve (PEI), të cilat do të përdoren në të gjitha qendrat e votimit.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, deklaroi se përgatitjet po ecin sipas planit dhe se çdo element logjistik është në kontroll të plotë.

Zgjedhësit do të mund të votojnë duke u identifikuar përmes pajisjes PEI dhe kartës ID ose pasaportës biometrike.

Përveç dokumentit të identifikimit, votuesit do të verifikohen edhe me shenjat e gishtërinjve, në mënyrë që të parandalohen rastet e votimit të dyfishtë apo të paligjshëm.

KQZ thekson se të gjitha përgatitjet janë bërë për të garantuar një proces zgjedhor transparent, të sigurt dhe të drejtë, në përputhje me standardet ligjore dhe kushtetuese.

Gjithashtu edhe Policia e Shtetit ka miratuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë gjithë procesit. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›