Zgjedhjet lokale në Gjermani, ndizen teoritë konspirative pas vdekjes së 16 kandidatëve

Autoritetet në Gjermani po përballen me një valë teorish konspirative pas vdekjes së 16 kandidatëve përpara zgjedhjeve lokale.
Votuesit do të shkojnë në kutitë e votimit më 14 shtator në North Rhine-Westphalia, landin më të populluar të vendit.
Megjithatë, interneti është mbushur me teori konspiracioni pas vdekjes së disa kandidatëve, përfshirë shtatë nga partia Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Ngjarja u përmend edhe nga bashkëkryetarja e partisë, Alice Weidel, në një postim në X, duke shkruar “Katër kandidatë të AfD-së vdiqën”.
Megjithatë, Dr. Martin Vincents, një zëdhënës i degës së partisë në North Rhine-Westphalia, i tha Sky News se numri i konfirmuar ishte rritur në shtatë.
Në një deklaratë, ai tha se AfD-së i vjen keq për lajmin, por se, sipas informacionit që kishte marrë deri më tani, “aktualisht nuk ka indikacione për vdekje të panatyrshme”.
Disa nga kandidatët kishin probleme shëndetësore paraprake. Në total, besohet se kanë vdekur 16 kandidatë, ndërsa policia tashmë ka përjashtuar shkaqe të panatyrshme në katër prej rasteve, sipas agjencisë së lajmeve DPA.
Shtatë kandidatët e AfD-së po kandidonin në rrethe të ndryshme dhe me mosha të konfirmuara midis 59 dhe 80 vjeç. Partia e ekstremit të djathtë raportohet të jetë e vetmja që ka humbur më shumë se një kandidat.