Zgjedhjet lokale në Kosovë, Jahjaga vendos të mbahen më 3 nëntor
Kosovë- Bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga ka dekretuar 3 nëntorin 2013, si datë të mbajtjes së zgjedhjeve vendore në vend. Sipas Kohës Ditore ajo ka zhvilluar konsultimet përmbyllëse me liderët e partive politike parlamentare dhe me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për përcaktimin e datës së zgjedhjeve vendore në territorin e Republikës së Kosovës.
Presidentja Jahjaga, sipas një komunikate të Presidencës, në konsultimet përmbyllëse me liderët politikë, vlerësoi se mbajtja e zgjedhjeve në tërë territorin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht, është një mesazh i rëndësishëm për qytetarët e vendit dhe siguron integritetin territorial dhe subjektivitetin e Kosovës.
Jahjaga ka theksuar se zgjedhjet duhet të jenë të drejta, demokratike dhe të lira ku secili qytetar i Republikës së Kosovës, pa dallim, të mund të shprehë vullnetin e tij lirshëm përmes votës së tij.
Ajo ka theksuar se përfshirja në zgjedhjet vednore e qytetarëve të komunitetit serb, të komunave në veri të territorit të Republikës së Kosovës, do tu mundësojë atyre zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legalë e legjitim, të dalë nga vota, që do të punojnë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve dhe për integrimin e të gjithëve në shoqërinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Presidentja Jahjaga ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që kanë të drejtë vote, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe obligim për të përcaktuar të ardhmen e tyre.
Pjesëmarrja e qytetarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhje do tu jap atyre mundësinë që të ndihmojnë në ngritjen e mirëqenies dhe të përmirësojnë jetën e tyre.