E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet lokale në PS, garë paralele me pushtetin vendor

Nuk ka ende një afat përmbyllës për procesin në 12 qarqet

Partia Socialiste hyn në klimë elektorale të dyfishtë. Afrimi i zgjedhjeve lokale që mbahen në fillim të vitit 2011, ka nxitur një garë të heshtur mes kandidatëve të mundshëm, e cila lidhet ngushtësisht me një proces tjetër zgjedhor; atë për degët e rretheve. Kështu, edhe pse zyrtarisht fushata ende mbetet në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave që do të depozitohen në kryesi, ajo sërish në këtë pikë bart me vete luftën më të ethshme e cila do të përcaktojë mandej edhe stabilitetin e brendshëm. Kukësi, Saranda, Gjirokastra, Berati, Elbasani, Peshkopia, Bulqiza, Burreli, Klosi, Vlora, Shkodra, Mallakastra dhe Fieri janë disa nga qendrat kryesore ku ballafaqimi individual ka zënë fill si pjesë e betejës që synon të “blejë” miratimin e kryesisë së Tiranës. Sipas informacioneve që disponon gazeta “Shqip”, në këtë proces të vështirë, por edhe intensiv seleksionues, bie në sy pjesëmarrja e njerëzve me përvojë politike, por edhe administrative, çka konfirmon profilizimin e partive politike drejt figurave me curriculum teknicieni. Njerëz të afërt me PS, por pa një jetë të mirëfilltë partie, po shihen aktualisht si pika referimi për rifreskimin e degëve, por edhe besimin e drejtimit të strukturave të rrethit, që rishfaqen me statutin e ri. Por në këtë garë nuk mungojnë edhe prurjet e “vjetra”, emra që rikandidojnë për drejtimin e strukturave lokale, si për rrethin ashtu edhe për degën e bashkisë. është me interes të vihet re një marrëdhënie që po shfaqet si tendencë sidomos në Qarkun e Elbasanit, ku krerët e komunave tentojnë kontrollin e zgjedhjeve partiake si një mënyrë për të siguruar perspektivën e rikandidimit në krye të pushtetit lokal. Sipas korrespondentit të “Shqip” në këtë qark, disa drejtues komunash po përpiqen të katapultojnë në degët përkatëse të PS njerëz të afërt, si mjet që mandej do të sjellë garanci për propozimin e tyre për rikandidim. Për ta thënë ndryshe, vetë procesi që ka zbritur në bazë dhe që prej shumëkujt shihet si një shans për riintegrim të burimeve apo faktorëve njerëzorë të selisë rozë, ka hapur në vetvete një luftë të mirëfilltë politike. E lidhur me specifikën e zgjedhjeve vendore, ku rezultati përcaktohet nga shumë elementë që nuk varen nga logoja partiake, procesi i tanishëm natyrshëm shfaqet më i ndërlikuar sidomos kur vjen puna për seleksionimin e emrave. Më optimiste duket situata në Vlorë, ku sipas korrespondentit të “Shqip”, deputeti Eltar Deda është shprehur me tone pozitive sa i përket sugjerimit të kandidatëve, të cilët janë depozituar në qendër në Tiranë. Një tipar që dëshmon për intensitetin e garës, por edhe atë të interesave që lidhet me degët e PS në rrethe dhe pushtetin vendor që hapet si perspektivë e tyre është numri i lartë i propozimeve, të cilat do të shoshiten në kryesi, mbledhja e së cilës ende nuk dihet se kur do të mbahet. Kështu vetëm nga Saranda kanë dalë 15 kandidatura, prej nga ku 3 janë tërhequr vullnetarisht për të mbetur 12, në një kohë kur dihet se gara në finale do të ballafaqojë jo më shumë se 3 emra. Sipas burimeve nga PS, do të duhet që procedura të përfundojë brenda muajit gusht ose shtator, ç’ka dëshmohet si nga norma e kandidaturave ashtu edhe nga interesi i mjaft deputetëve socialistë që po lobojnë në qarqet respektive për të zgjedhur njerëz të afërt.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›