Kapet kapoja i kultivimit të hashashit në Lazarat
Një ndër kultivuesit më të mëdhenj të hashashit në Lazarat është arrestuar nga policia gjatë një operacioni të realizuar në orët e pasdites së të premtes. Policia e Shtetit tha zyrtarisht se rreth orës 19:00 është zbatuar urdhri për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër mbi caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike, për shtetasin Pëllumb Zenel Boçi, 44 vjeç, lindur në Lazarat dhe banues në Kordhocë të Rrethit Gjirokastër. Strukturat e Policisë së Shtetit, pasi grumbulluan provat e duhura që vërtetonin se ai kishte kultivuar bimë narkotike, i referuan materialet në prokurori dhe intensifikuan veprimet për të bërë të mundur lokalizimin e autorit, me qëllim ekzekutimin e vendimit të gjykatës për caktimin e masës së sigurisë. Arrestimi i tij u bë i mundur pas një pune të koordinuar ndërmjet strukturave qendrore të Drejtorisë Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, me strukturat vendore të Policisë së Qarkut Gjirokastër. Policia shtoi se Pëllumb Boçi është një nga eksponentët e organizimit në vite të kultivimit të bimëve narkotike në zonën e Lazaratit, por njëherësh dhe një ndër kultivuesit më potencialë të bimës kanabis në këtë zonë. Aktualisht, materialet për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër i janë dërguar prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, nga strukturat e Policisë së Shtetit po vazhdon puna për hetimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtaria kriminale e këtij personi, si dhe të tjerëve, të cilët janë në procedim e sipër. Po ashtu, përmes mjeteve të teknologjisë më të fundit po punohet intensivisht për monitorimin e gjithë territorit të vendit, e në mënyrë të veçantë të zonave të evidentuara si më problematike, me qëllim identifikimin e çdo zone ku mund të jetë kultivuar bimë narkotike.
#