E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret për të përfituar një leje mjedisore

Përgatitet drafti nga Ministria e Mjedisit, standarde të reja, kushte bashkëkohore, teknologji e kualifikuar

Disiplinimi i veprimtarive që ndotin mjedisin, nëpërmjet vendosjes së një sistemi lejesh mjedisore është qëllimi i draft-ligjit të propozuar nga Ministria e Pyjeve. Ky projektligj decentralizon miratimin e lejeve mjedisore duke i zgjeruar kompetenca strukturave të qeverisjes vendore. Në të përcaktohen qartë kriteret e përfitimit të lejeve mjedisore, por njëkohësisht kërkohet edhe zbatimi i teknikave më të mira të mundshme për kapjen dhe kontrollin e ndotjes. Ky i fundit është një koncept që ka hyrë për herë të parë në vendin tonë dhe synon investime në teknologji moderne dhe bashkëkohore për sa u përket shkarkimeve në mjedis. “Ky draft-ligj synon të krijojë standarde të reja, që na afrojnë gjithnjë e më shumë me normat europiane mjedisore, që ka si përparësi të tij mjedisin”, tha ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Kjo përqasje, sipas tij, do të shmangë nxitimet momentale të investitorëve dhe do të mundësojë që investimet teknologjike të jenë të standardeve europiane, duke garantuar mbrojtje të mjedisit dhe zhvillim të qëndrueshëm të biznesit pa pasur nevojë për rinovime teknologjike të shpeshta. Sipas Mediut, ky draft-ligj, do të përforcojë instrumentet monitoruese të zbatimit të lejes mjedisore nga operatorët, si dhe sanksione të rrepta për ata që i shkelin ato. Projektligji i mundëson për herë të parë Shqipërisë krijimin e Regjistrit Kombëtar të Shkarkimeve në mjedis duke përmbushur një nga kërkesat thelbësore të Integrimit Europian për matjen dhe njohjen e saktë të kontributeve të shkarkimeve në mjedis nga vendi ynë. Ky projekt i detyron operatorët apo mbajtësit e lejeve që në rast të mbylljes së veprimtarisë të kthejnë territorin në gjendjen e tij natyrale. Drafti përcakton një kohë tranzitore për instalimet ekzistuese me shkarkime në mjedis duke u lënë kohë të mjaftueshme që të bëjnë përmirësimet teknologjike.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›