Zgjedhjet lokale, nis sda për kandidatët e bashkive

Gara elektorale për zgjedhjet lokale të vitit 2011 është paraprirë nga rivaliteti jozyrtar mes kandidatëve që synojnë mandatin e kryetarit të bashkisë apo komunës. I vlerësuar në rëndësinë e tij, procesi elektoral për pushtetin vendor shfaq një rëndësi të dorës së parë për partitë politike, të cilat kanë një mundësi për të zgjeruar apo amortizuar pushtetin që buron nga zgjedhjet e përgjithshme. Për sa i përket raundit që pritet të zhvillohet në vitin 2011, gara ka edhe më shumë interes pse ajo lidhet ngushtë me situatën e brendshme sidomos në kampin opozitar, që sfidën në fjalë e sheh si mundësi për të rikonfirmuar veten si forcë e parë. Në këtë drejtim, puna e nisur me përzgjedhjen e emrave është parësore, pasi tanimë konkurrimi në nivel lokal shfaqet si optimizëm i integritetit të kandidatit me forcën simbolike që ushtron sigla politike. Sipas burimeve të gazetës “Shqip”, kjo garë sa individuale aq edhe politike, ka nisur dhe po nxjerr në sipërfaqe emrat e parë nga të dy kampet. Përveç Tiranës, Durrësi, Vlora, Fieri, Gjirokastra, Lushnja apo Elbasani janë familjarizuar tanimë me përfaqësuesit e mundshëm që do të synojnë konkurrimin në zgjedhjet lokale të 2011. Në një lexim të përciptë bie në sy një ambicie për rikonfirmim nga njëra anë dhe një përpjekje për përmbysje të situatës nga ana tjetër. Në këtë drejtim ka rëndësi për të nënvizohet fakti se konteksti elektoral i 2011 përcaktohet sa nga rezultatet e zgjedhjeve lokale të vitit 2007 aq edhe nga klima e krijuar nga raundi politik i 28 qershorit 2009. Duhet thënë se listimi i kandidaturave të Partisë Socialiste flet për një qëndrueshmëri të përfaqësimit po të merret në konsideratë fakti se disa prej drejtuesve aktualë të njësive vendore synojnë rikonfirmimin. Nga 12 bashki të mëdha në vend, 10 drejtohen nga përfaqësues të selisë rozë, çka përbën një peshë realisht të madhe të opozitës në pushtetin që ushtrohet në vend. Kjo është një arsye pse shumica e djathtë sipas burimeve të “Shqip” po synon një përzgjedhje sa më përfaqësuese duke shfrytëzuar qoftë konsumin e drejtuesve të opozitës, ashtu edhe rivalitetin elektoral PS-LSI. Kjo e fundit duket se në disa bashki të dyta do të ketë mbështetjen e Partisë Demokratike, sikurse supozohet se do të ndodhë në Patos. Ky kombinim aleancash mes PD-së dhe LSI-së sjell me vete një risi elektorale, pse duket se forca specifike e partisë së Ilir Metës në disa njësi të majta mund të sjellë uljen e sigurisë së PS për fitore duke e bërë rezultatin shumë të diskutueshëm. Kjo mund të vlerësohet edhe nga angazhimi i fortë i LSI-së në Tiranë, ku sipas Metës, “votat tona kanë qenë përcaktuese në fitoren e së majtës”. Ky ballafaqim që është ende shumë shpejt për t’u gjykuar me saktësi vjen për opozitën socialiste me një rol të madh në bashkitë kryesore, por që në 2007 u shoqëruan me disa aksidente elektorale sikurse ishin bashkitë e Tepelenës apo Përmetit, që nxitën nevojën e një ndryshimi në formulimin e aleancave dhe mesazhit politik.
#