Pango, Agim Bendo censuroi prokurorinë

Peshorja, e cila ndodhet në ambientet e brendshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është simboli i drejtësisë, që do të thotë se një gjykatës është i paanshëm dhe i drejtë vetëm atëherë kur peshon qëndrimet e të dyja palëve në proces.
Por duke ju referuar vetëm qëndrimit të Ylli Pangos në shpalljen e vendimit të tij, gjykatësi Agim Bendo jo vetëm që ka marrë si argumente të vendimit të gjitha pretendimet e njërës palë, pa u hequr as edhe një presje, por ka keqinterpretuar në mënyrë të njëanshme edhe vendimin e pushimit të hetimeve ndaj Ylli Pangos prej Prokurorisë së Tiranës.
Pas publikimit të pamjeve filmike, ku ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, shfaqej duke abuzuar me detyrën, prokuroria arsyetonte se filmimet audio e vizive nuk mund të konsideroheshin provë e mirëfilltë ligjore, pasi ato ishin kryer pa autorizimin e autoriteteve shtetërore, prandaj dhe vetëm prandaj ato nuk janë konsideruar provë procedurale për hapjen e çështjes penale ndaj ish-ministrit.
Por kjo s’do të thotë se ish-ministri nuk ka abuzuar me detyrën, por vetëm se prokuroria nuk mund të nisë hetime me prova që janë marrë nga një investigim gazetaresk. Gjithsesi gjyqtari Agim Bendo ka marrë për justifikim të vendimit të tij vetëm pjesët që ai preferonte të lexonte nga ky vendim i prokurorisë.
Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtari Agim Bendo harroi ta lexojë më tej shkresën e prokurorisë, e cila sikurse nuk nis hetimin ndaj zotit Pango, nuk akuzon as gazetarët të kenë shkelur ndonjë nen të legjislacionit në fuqi.
Meqë gjyqtari Agim Bendo harroi ta lexonte të plotë vendimin e prokurorisë, gjysma tjetër që ai i fshehu procesit dhe publikut vijon si më poshtë: Situata e regjistruar duket qartë se është një situatë jo në kushte normale, por një situatë gazetareske, ku një emision i një televizioni, nën pretendimin në funksion të transparencës për publikun, ka bërë të mundur të regjistrojë me gazetarët e vet bisedat e ish-ministrit. Kështu nuk mund të shërbejë kurrsesi si provë për të ngritur një akuzë konkrete, në raport me veprimet e gazetares A.B.
Gjatë leximit të pjesshëm të vendimit të prokurorisë, gjyqtari Bendo nuk mori parasysh se vetë prokuroria i cilëson në vendim filmimet si një investigim gazetaresk në shërbim të transparencës për publikun dhe në asnjë rast nuk përmend shkeljen e privatësisë së individit të thjeshtë.
Një vendim gjykate nuk interpretohet juridikisht, por duke u nisur nga fakti se gjyqtari Agim Bendo nuk argumentoi, por interpretoi në mënyrë të njëanshme një vendim të prokurorisë, ne si media jemi të detyruar ta japim atë të plotë, që gjithsecili të ketë njohuritë dhe faktet për ta gjykuar vetë vendimin e Agim Bendos.
#