E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, mbërrin sot në Tiranë misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it

TIRANE - Mbërrin sot në Tiranë misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR-t dhe të Asamblesë Parlamentare (AP) të OSBE-së, i cili do të ndjekë nga afër zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

Në krye të misionit do të jetë amerikania Conny McCormack, e cila ka qënë pjesë e ekipeve vëzhgues në zgjedhjet në Armeni, Meksikë, Rusi, Jemen, Indonezi e Nigeri.

Ekipi i ODIHR përbëhet nga 15 ekspertë të cilët vijnë nga 14 shtete anëtare të OSBE-së, me seli në Tiranë, si dhe 30 vëzhgues afatgjatë, të shpërndarë në të gjitha rajonet. Ashtu si edhe në vitin 2009, Asambleja Parlamentare e OSBE-së, e kryesuar aktualisht nga austriaku Volfgang Grossruck, aktivizoi sërish marrëveshjen me ODIHR-in për një mision të përbashkët monitorimi.

Ekipi i Asamblesë Parlamentare do të drejtohet nga përfaqësuesi i saj special për Europën Juglindore, Roberto Battelli, deputet slloven. Z.Battelli ka një eksperiencë të gjerë në vëzhgimin e zgjedhjeve, ndërsa ka marrë pjesë në 19 misione monitorimi në shtete të ndryshme anëtare të OSBE-së. Ai ka qenë dhe koordinator i vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së në zgjedhjet në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni.

ODIHR ka kërkuar nga vendet anëtare të OSBE-së që të dërgojnë në Shqipëri 430 vëzhgues, por ende nuk është përcaktuar numri i saktë i atyre që do të përfshihen.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›