E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Australi – Albanese kërkon një mandat të dytë përballë opozitarit Dutton

Australia mbajti zgjedhjet e përgjithshme këtë të shtunë, ku mbi 18 milionë persona votuan për të zgjedhur kryeministrin e ardhshëm. Më shumë se një e treta e tyre kanë votuar para kohe, tha autoriteti zgjedhor, ndërsa votimi është i detyrueshëm, duke parashikuar një pjesëmarrje që kalon 90 për qind.

Votuesit e rinj pritet të luajnë një rol vendimtar në garën mes kryeministrit Anthony Albanese të Partisë Laburiste Australiane, i cili po kërkon një mandat të dytë dhe udhëheqësit të opozitës Peter Dutton të koalicionit Liberal-Nacional.

Në fletën e votimit kishte edhe një sërë kandidatësh të pavarur, të cilët mund të jenë vendimtarë për krijimin e qeverisë së ardhshme. Kostoja e jetesës, problemet me kujdesin shëndetësor publik, strehimi i papërballueshëm por edhe tarifat tregtare të presidentit amerikan Trump, ishin temat që mbizotëruan gjatë fushatës elektorale 36-ditore.

62-vjeçari Albanese  ka premtuar të përqafojë energjinë e rinovueshme, të trajtojë krizën e strehimit dhe të investojë në sistemin shëndetësor. Udhëheqësi i Partisë Liberale Dutton synon të ulë imigracionin, të luftojë më ashpër krimin dhe gjithashtu që vendi të heqë dorë nga ndalimi i përdorimit të energjisë bërthamore. Rezultatet zyrtare mund të duhen ditë ose javë, por rezultatet paparaprake jozyrtare nga komisioni zgjedhor zakonisht tregojnë se kush do ta formojë qeverinë e ardhshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›