Zgjedhjet në Himarë, Beleri kërkon pezullimin e dekretit të Begajt në Gjykatën Administrative

TIRANË, 8 korrik/ATSH/- Fredi Beleri, i dënuar me 2 vite për burg për korrupsion zgjedhor kërkon nga Gjykata Administrative pezullimin e dekretit të Presidentit Bajram Begaj, për shpalljen e datës 4 gusht si datë të zgjedhjeve të pjesshme për kryetarë të Bashkisë së Himarës.
Begaj dekretoi datën e zgjedhjeve për Bashkinë Himarë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli pavlefshmërinë e mandatit të Fredi Belerit i dënuar me dy vite burg për korrupsion zgjedhor nga Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Në kërkesën që i ka dërguar gjykatës, Beleri kërkon pezullimin e zbatimit të Dekretit nr.244, datë 05.07.2024 të Presidentit të Republikës deri në marrjen e vendimit përfundimtar.
Beleri argumenton se do të ankimojë vendimin dhe deri atëherë kërkon pezullimin e zbatimit të aktit administrativ.
“Kërkuesi Dhionisios Alfred Beleri aktualisht është Kryetar i Zgjedhur i Bashkisë Himarë, cilësi që sipas ligjit do ta mbajë deri në kalimin e afatit 30 ditor të paraqitjes së ankimit kundër vendimit nr. 69 datë 05.07.2024 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, ose deri në shpalljen e vendimit që do të shqyrtojë ankimin e tij, kundër vendimit nr. 69 datë 05.07.2024 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, në përputhje me nenin 164/2 të ligjit nr. nr. 44/2015 Kodi I Procedurave Administrative”, argumentohet në shkresën që Beleri i ka dërguar Gjykatës Administrative.