E Enjte, 5 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Himarë, Presidenca: 4 gushti, pasi na u njoftua vakanca

TIRANË, 5 korrik/ATSH/ Presidenca sqaroi sot se përse nuk u prit afati prej 30 ditësh që Fredi Beleri ka për të ankimuar vendimin e KQZ-së, për heqjen e mandatit, përpara se të dekretohej data për zgjedhjet e reja në Himarë.

Në një përgjigje për mediet, Presidenca sqaron se “Presidenti i Republikës caktoi datën e zgjedhjeve pasi u njoftua zyrtarisht për vakancën e krijuar. Presidenti i Republikës nuk është organi që konstaton vakancën, sikurse nuk merr në shqyrtim procedurën që i ka paraprirë asaj dhe as është instancë e ankimit administrativ”.

“Presidenti vihet në lëvizje me njoftim. Në sistemin ligjor shqiptar ka vetëm një rrugë ligjore për vënien në lëvizje të Presidentit të Republikës, në rastin e vakancave në qeverisjen vendore. Kjo rrugë është rruga e njoftimit nga Këshilli i Ministrave. Për të shqyrtuar çështjen Presidenti ka në dispozicion vetëm 48 orë. Zgjedhjet e pjesshme zhvillohen sipas një kalendari të ngushtë ligjor. Afatet ligjore janë detyruese”, theksoi Presidenca.

Sipas Presidencës, procedura për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe procedura për ankimimin e akteve administrative janë që të dyja ligjore dhe bashkëjetojnë me njëra-tjetrën.

“Në rast se midis tyre krijohen përplasje, atëherë është gjykata kompetente që ka fuqinë të zgjidhë përplasjen. Mjetet ligjore për mbrojtjen e interesave të ligjshme nuk shfuqizohen nga procedura e dekretimit të zgjedhjeve”, thuhet në sqarimin e Presidencës.

Ndërkohë kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se meqenëse bashkia Kavajë drejtohet nga opozita, Presidentit i mjafton një letër dhe shpallë zgjedhje në Kavajë, pa verifikuar nëse ka realisht vakancë apo jo.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›