E Hënë, 2 Nëntor 2026

Plagosja e 32-vjeçarit në Bulqizë, shpallet në kërkim autori

Zbardhet tentativa për vrasjen e 32-vjeçarit në Bulqizë mbrëmjen e djeshme (13 nëntor).

Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe ka shpallur në kërkim autorin 32-vjeçar të plagosjes së bashkëmoshatarit të tij, ngjarje kjo e cila ka nisur për shkak të një konflikti të mëparshëm mes tyre.

Autori i ngjarjes dyshohet për kryerjen e dy veprave penale, “Vrasja, e mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

“Tentoi të vriste me armë zjarri një 32-vjeçar, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.

Në vijim të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Bulqizës, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi A. T., specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Bulqizë, nën drejtimin e Prokurorisë Dibër, kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe hetimeve të kryera, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi H. B., 32 vjeç, banues në Bulqizë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja, e mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se, për shkak të një konflikti të mëparshëm, ky shtetas ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë, duke e lënë të plagosur në këmbë shtetasin A. T., 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e autorit, dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›