Zgjedhjet në Kosovë, përfundon certifikimi i partive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka përfunduar certifikimin e subjekteve politike, dhe 7 mijë e 932 kandidat janë certifikuar për zgjedhjet që do të mbahen më 3 nëntor në gjithë territorin e Kosovës.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka vlerësuar pozitivisht procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe ka thënë se edhe kësaj here dëshmohet se zgjedhjet do të mbahen sipas ligjeve dhe rregullave të KQZ-së. Të njëjtën e kanë thënë edhe anëtarët e komisionit, Betim Gjoshi dhe Florian Dushi, duke theksuar se dy iniciativat serbe që kanë pasur emërtime provokative kanë ndryshuar sipas kërkesës së Komisionit.
Lista e sponsorizuar nga Beogradi që në fillim mbante emërtimin “Srbija” tani do të njihet me emërtimin “Iniciativa Qytetare Serbe”, ndërkaq lista e Oliver Ivanoviç e cila ishte “Srbija, Demokracia”, tani me ndryshimin do të jetë “Iniciativa Qytetare-PSD-Oliver Ivanoviç”.