Zgjedhjet në Kosovë, politika shqiptare uron Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka uruar qytetarët e Kosovës dhe klasën politike pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura ditën e djeshme. Duke e cilësuar një shembull të shkëlqyer të besimit te demokracia dhe vota e lirë, Kreu i Shtetit thotë se Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik. “Urime të gjithë qytetarëve dhe klasës politike të Kosovës për shembullin e shkëlqyer të besimit te demokracia dhe vota e lirë, si dhe për standardet e suksesshme të arritura në zgjedhjet e djeshme parlamentare.
E përshëndes pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në votime, të cilët sfiduan kushtet e vështira atmosferike dhe pandeminë COVID-19, për të marrë në dorë fatet dhe për të vendosur të ardhmen e tyre.
Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik.
Urojmë, që institucionet e reja, që do të formohen përmes bashkëpunimit, të udhëheqin me sukses shtetin e Kosovës për të fituar sfidat e të ardhmes”, shkruan presidenti Meta.
Ndërkohë edhe Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot përfundimin e zgjedhjeve në Kosovë si dhe ka uruar Vetëvendosjen për fitoren. Zoti Rama shkruan se uron që vullneti i popullit të Kosovës tashmë të mishërohet në një kapitull të ri me qeveri të qëndrueshme, dialog dhe zhvillim. “Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve, LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën,me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik&social” – shkruan kryeministri shqiptar Edi Rama.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka uruar më herët fitoren e zgjedhjeve në Kosove, kreut të Vetvendosjes, Albin Kurti.“Urime VV, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren e zgjedhjeve. Kosova ka sfida të mëdha përpara. Jam i bindur se partia fituese e zgjedhjeve dhe partitë e tjera do të arrijnë ti adresojnë dhe zgjidhin ato në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, është shprehur zoti Basha. “Do të jem i lumtur të bashkëpunoj ngushtësisht me qeverinë e re të Kosovës, si sa i përket proceseve të integrimit euroatlantik dhe vijimit të njohjeve ndërkombëtare, ashtu dhe për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve tona”, ka theksuar ai.
Ndërsa kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka theksuar se, “Kosova dhe qytetarët e saj zhvilluan një proces zgjedhor shpresëdhënës këtë 14 shkurt, që edhe nën sfidën e pandemisë, u dominuan nga kultura demokratike për respektimin e vullnetit të sovranit”. “Urime Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren bindëse. Suksese parlamentit dhe qeverisë së re, me bindjen se do t’i japin një ritëm më të shpejtë zhvillimeve pozitive për forcimin e shtetit të Kosovës dhe integrimit të tij në arenën ndërkombëtare”, ka shtuar ajo.