Zgjedhjet në Kosovë, test për të ardhmen
Pavarësisht temperaturave të ulëta, një turmë e konsiderueshme kishte dalë nëpër rrugët e Prishtinës për t'u argëtuar me shfaqjet nën qiell të hapur. Në kryeqytet u organizuan disa koncerte.
Qeveria e re e Kosovës kërkon me ngulm t'i bindë qytetarët të dalin në zgjedhje, ku pritet të marrin pjesë vetëm 40 për qind e votuesve. A po funksionon, pra, kjo strategji e joshjes së votuesve me anë të muzikës, i pyeti korrespondenti i BBC-së për çështjet e Ballkanit, Mark Lowen, disa qytetarë të Prishtinës.
Shpresa dhe zhgënjime
"Nuk do të votoj, sepse mendoj se vota ime nuk do të sjellë ndonjë ndryshim dhe të zgjedhurit nuk do të japin llogari para qytetarëve", i tha gazetarit të BBC-së një qytetar.
"Do të dal në votime. Shpresoj që personi për të cilin do të votoj do të ndërtojë rrugë të reja, do të bëjë investime të reja dhe do të na e kthejë besimin që kemi pasur dikur", ishte opinioni i një qytetari tjetër të Prishtinës.
Disa metra më larg nga vendi ku tërhoqi këto opinione, Mark Lowen i BBC-së thotë se një grup shqiptar i opozitës përpiqet t'i shkurajojë votuesit nga pjesëmarrja në zgjedhje. Sipas këtyre kritikëve, njofton ai, këto zgjedhje u japin shumë kompetenca organeve të pushtetit lokal, disa prej të cilëve mund të përfundojnë në duart e minoritetit serb.
Pjesëmarrja e serbëve
Dhjetë vjet pas luftës brutale që u zhvillua në Kosovë, pajtimi mes dy komuniteteve është i ngadaltë, vëren korrespondenti i BBC-së për çështjet e Ballkanit, Mark Lowen.
Në zgjedhje mund të ketë një pjesëmarrje të vogël të serbëve, por shumë veta këtu ka të ngjarë t'i përgjigjen thirrjes së Beogradit për një bojkotim të tyre, sikurse shpjegon analisti për çështjet politike, Alex Anderson.
"Nëse kemi një pjesëmarrje shumë të vogël të serbëve, kjo padyshim që do të tregojë se Kosova është një vend shumë i ndarë. Por sidoqoftë, shkaku kryesor i një pjesëmarrjeje të tillë të ulët do të ishte ngase qeveria e Serbisë u ka thënë serbëve në Kosovë se, në rast se marrin pjesë në këto zgjedhje, ata duhet të kërkojnë të gjejnë ndonjë vend tjetër pune", thotë analisti Alex Anderson.
Test për të ardhmen
Nëse këto zgjedhje vlerësohen si të lira dhe të drejta, ato mund të shtojnë shanset e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga më shumë vende.
Sytë e të gjithëve tani janë drejtuar nga qeveria e Kosovës dhe qeveria shpreson të ofrojë zgjedhje pa të meta, thotë korrespondenti i BBC-së për çështjet e Ballkanit, Mark Lowen.