E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Tiranës reagon pas akuzave të PS-së: Zbatuam detyrën



Policia e Tiranës ka reaguar pas akuzave të Partisë Socialiste se uniformat blu janë keqpërdorur.

Në një njoftim për shtyp thuhet se nuk është përgjegjësi e Policisë së Shtetit dhe as detyrim ligjor i saj përcaktimi i vendit të vendosjes së podiumeve apo foltoreve në tubime apo aktivitete të forcave politike. “Po kështu, mendojmë se prezenca e policisë në tubimet e forcave politike nuk ka shqetësuar dhe as nuk do të shqetësojnë pjesëmarrësit dhe organizatorët në këto aktivitete”.

Sipas njoftimit për shtyp, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë është e bindur se shkaku për incidentin e krijuar përpara fillimit të tubimit të Partisë Socialiste duhet kërkuar në mosmarrjen e masave logjistike nga ana e organizatorëve të tubimit dhe jo tek Policia e Shtetit. Kërkesat për ndryshimin e vendit të vendosjes së podiumit, vetëm 5 minuta para fillimit të mitingut, është e qartë se nuk i shërben zhvillimit normal të tij.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë garanton opinionin publik, Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe të gjitha subjektet politike se ashtu si deri më tani, do të respektojë vetëm detyrimet ligjore në rastet e tubimeve apo manifestimeve në vendet publike dhe do të demonstrojë fleksibilitetin e nevojshëm për të koordinuar punën e saj me organizatorët e tubimeve, në interes të zhvillimit normal të tyre dhe të sigurimit e të qetësisë publike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›