Zgjedhjet në Mat, nis faza e dorëzimit, kutitë e para mbërrijnë në KZAZ

Menjëherë pas mbylljes zyrtare të qendrave të votimit, procesi zgjedhor në Bashkinë Mat ka hyrë në fazën thelbësore të dorëzimit dhe numërimit të votave. Ka nisur dërgimi i kutive të votimit drejt Komisionit të Zonës Administrative Zgjedhore (KZAZ).
Kutitë e para, që mbajnë votat e qytetarëve për kryetarin e ri të Bashkisë, kanë mbërritur në ambientet e KZAZ-së, së bashku me dokumentacionin shoqërues. Anëtarët e komisionit kanë filluar procedurën e marrjes në dorëzim.
Dorëzimi i kutive të votimit pason një ditë votimi e cila, sipas raportimeve, ka kaluar përgjithësisht e qetë.
Pas përfundimit të dorëzimit dhe verifikimit të të gjithë materialit zgjedhor, do të fillojë procesi i numërimit, moment kur vëmendja e publikut dhe e kandidatëve zhvendoset plotësisht te KZAZ-ja, e cila do të përcaktojë fituesin e garës për kreun e Bashkisë Mat.
/rtsh.al/