E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Partinë Demokratike, ikin kryetaret e rretheve

TIRANE- Partia Demokratike është përfshirë nga një proces i brendshëm zgjedhjesh, pikërisht në ato degë ku rezultoi humbëse në zgjedhjet e fundit lokale të 8 Majit 2011. Humbja e bashkive kyçe në Kavajë, Librazhd, Laç, Mirditë, Tepelenë, Sarandë dhe Gramsh po shoqërohet tani me zëvendësimet e drejtuesve lokalë demokratë. Ndërkohë që në degën e PD-së së Devollit, zëvendësimi po bëhet për shkak se kreu i saj ka ndërruar jetë. Aktualisht zgjedhjet kanë hyrë në fazën e dytë, ndërkohë që pritet faza përmbyllëse, e cila sipas një udhëzimi të shpërndarë nga qendra duhet të mbyllen brenda datës 25 nëntor.

TRI KRYETARET
Krerët demokratë të tri prej këtyre degëve pohuan dje për “Gazeta Shqiptare” se zgjedhjet po bëhen për shkak të humbjes së bashkive apo rezultateve të dobëta në zgjedhjet e fundit lokale. Kreu i PD-së së Mirditës, z.Gjovalin Prenda bëri të ditur se nuk do të rikandidojë edhe për faktin se ka konsumuar dy mandate në krye të demokratëve të këtij rrethi. “Zgjedhjet këtë here janë absolutisht jashtë radhës, por bëhen për faktin se ne jemi degë humbëse, ose kemi patur rezultate të dobëta në zgjedhjet e fundit lokale. Unë nuk do të rikandidoj sërish, pasi kam konsumuar dy mandate dhe në bazë të udhëzimit që na është dhënë, megjithëse nuk e thotë qartë se nuk mund të rikandidosh pas dy mandatesh, por unë kam qenë dakord që kur humbet, të mos kandidosh sërish. Deri tani nga baza janë propozuar 12 kandidatura për postin e kryetarit prej tyre kryesia do të vendosë vetëm dy që do të hyjnë në proces votimi”, - deklaroi Prenga. Kurse kryetari i PD-së së Kavajës, Hysen Arkaxhiu, pohoi se zgjedhjet e reja në këtë degë po shoqërohen edhe me një analizë pune për të patur një rezultat sa më pozitiv në zgjedhjet që vijnë. “Pas humbjes së bashkisë gjykoj se janë të domosdoshme këto zgjedhje pavarësisht se ato të komunave janë më të konsoliduara pasi në to ka fituar PD-ja. 

Me ketë rast bëhet edhe një farë analize pune e zgjedhjeve të kaluara për të patur një rezultat më të mirë në zgjedhjet që vijnë. Unë personalisht nuk do të rikandidoj, pasi kam bërë dy mandate, por edhe për shkak të arsyeve personale. Nuk rikandidoj pavarësisht se jam propozuar nga seksionet për shkak të kushteve nuk rikandidoj”, - u shpreh Arkaxhiu. Ai thotë se këto zgjedhje nuk janë shumë të jashtëzakonshme, pasi zgjedhjet e
radhës do të mbahen në fillim të vitit 2013-të. Nga ana e tij kreu i PD-së së Librazhdit pohon se zgjedhjet
po bëhen për një rezultat më të mirë, ndërkohë që nuk mohon mundësinë e rikandidimit pavarësisht se nuk dihet se kush do të fitojë. “Procesi aktualisht është i rregullt dhe çdo gjë po bëhet në zbatim të statutit të partisë dhe udhëzimit që na është dhënë para një muaji. Kemi përmbyllur fazën e parë dhe të dytë atë të zgjedhjeve në seksione dhe grupseksione, ndërkohë që ka mbetur faza përmbyllëse, ajo e kryetarit. Zgjedhjet bëhen për të patur rezultate më të mira në zgjedhjet e ardhshme. Unë do të rikandidoj sërish pasi jam propozuar nga baza. Momentalisht janë 48 kandidatura të propozuara nga anëtarësia, të cilat do t’i delegohen qendrës dhe në bazë të statutit do të mbeten vetëm dy ose tre kandidatura. Të shikojmë më tutje se si do të shkojë, por aktualisht procesi po ecën shumë normalisht”, - deklaroi Leka.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›