E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në universitete, rezultatet paraprake

21/02/2012  Garë e fortë për rektorin e Universitetit të Tiranës, numërimi nis në orët e vona të mbrëmjes

Situata :Konkurrencë tek Mjekësia e akuza në Universitetin e Durrësit,

Mijëra studentë, pedagogë e punonjës të administratës universitare gjatë ditës së djeshme u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e rinj. Pas mbylljes së procesit të votimit, qe në kryeqytet është zhvilluar normalisht dhe i qetë, komisionet qendrore të zgjedhjeve pranë fakulteteve kanë nisur procesin e numërimit të votave. Orët e vona të mbrëmjes kanë shënuar nxjerrjen e kandidaturave të para që kanë fituar apo rikonfirmuar të drejtën për të kryesuar fakultetet. Më i ngadaltë ka qenë procesi për numërimin e votave për kreun e rektorit të Universitetit të Tiranës, pasi numërimi i votave ka filluar në orë shumë të vona për shkak të vonesave në mbledhjen e kutive të votimit. Duke iu referuar të dhënave të para mbi rezultatet, është konfirmuar me shumicë votash në postin e dekanit të Fakultetit të Histori-Filologjisë sërish Shezai Rrokaj. Ndërsa në Fakultetin e Drejtësisë, ndonëse kandidonte i vetëm, Altin Shegani ka përqindjen e caktuar të votave për të marrë mandatin e parë si dekan i këtij fakulteti. Kutitë me votat e hedhura për rektorët kanë nisur të numërohen në orët e vona pranë rektorateve, ndërsa të gjitha të votat e tjera për dekanët apo drejtuesit e departamenteve po numërohen në qendrat e numrit të çdo fakulteti. Rezultatet më të plota për fituesit do të shpallen gjatë ditës së sotme. Në zgjedhjet për drejtuesit e rinj të fakulteteve publike morën pjesë mbi 150 mijë studentë, 5 mijë pedagogë dhe 3 mijë punonjës të administratës.

Votimi

Për shkak të përgatitjes së bazës materiale të nevojshme, procesi i votimit, ndryshe nga sa ishte parashikuar, ka nisur një orë me vonesë pothuajse në të gjitha fakultetet e kryeqytetit. Procesi i votimit, në bazë të informacioneve të marra pranë universiteteve publike, ka ecur normalisht, me përjashtim të fluksit të krijuar herë pas here nga pjesëmarrja. Sikundër ishte përcaktuar, qendrat e votimit ishin të ndara për tri kategoritë. Studentët dhe punonjësit e administratës kishin në dispozicion katër fletë të ndryshme për të dhënë mendimet e tyre në lidhje me drejtuesit e rinj, ndërsa stafet akademike kishin në dispozicion 6 fletë votimi. Në shumë prej fakulteteve gara për zgjedhjet është zhvilluar në mënyrë formale, pasi kandidatët ishin të vetëm në konkurrim e si të tillë kanë arritur të grumbullojnë votat e duhura për të marrë mandatin e dekanit. Më e ashpër gara është zhvilluar për kreun e rektorit të Universitetit të Tiranës, ku në garë ishin ish-rektori Dhori Kule dhe përballë tij pedagogia e Fakultetit të Shkencave të Natyrës Mimoza Hafizi. Në mesditë të dy kandidatët u janë drejtuar kutive të votimit në fakultetet ku ata janë pedagogë. Dhori Kule votoi në Fakultetin Ekonomik, ndërsa Mimoza Hafizi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Kandidati Dhori Kule ka deklaruar se në fund të procesit të votimit nuk do të ketë të humbur, ka vetëm të fituar. "Do të fitojë Universiteti, ai mision për të cilin tashmë ne jemi në rrugën e mbarë: forcimi i standardeve cilësore", - ka pohuar Kule. Sipas rregullores, konsiderohet fitues në postin e autoriteteve drejtuese, ai kandidat që renditet i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33%. Nëse nga llogaritja e rezultatit të votimit kanë dalë dy ose më shumë kandidatë me pikë të barabarta, fituesi do të zgjidhet me short. Në rastin e një kandidature të vetme për postin e autoriteteve drejtuese, konsiderohet fitues nëse rezultati i tij në përqindje është mbi 50%.

Procesi i votimit

Rregullorja e miratuar nga senatet akademike përcakton se votat për përzgjedhjen e drejtuesve të shkollave të larta llogariten në përqindje, ku votat e të gjithë stafit akademik përbejnë 75 për qind të procesit, 20 për qind në zgjedhjen e këtyre drejtuesve e zë vota e dhënë nga studentët dhe 5-përqindëshi i mbetur u takon punonjësve të administratës së fakultetit. Gjithashtu rregullorja përcakton se drejtuesit e fakulteteve apo dhe rektori kanë të drejtë të qëndrojnë në postin e zgjedhur deri në dy mandate.

Rezultatet për të qenë fitues

Më tej në rregulloren e miratuar mbi procesin zgjedhor konsiderohet fitues në postin e autoriteteve drejtuese ai kandidat që renditet i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33 për qind e votave. Nëse nga llogaritja e rezultatit të votimit kanë dalë dy ose më shumë kandidatë me pikë të barabarta, fituesi do të zgjidhet me short. Në rastin e një kandidature të vetme për postin e autoriteteve drejtuese konsiderohet fitues nëse rezultati i tij në përqindje është mbi 50 për qind.

Gara më e ashpër te Mjekësia

Fakulteti i Mjekësisë ka shënuar garën më të fortë, pasi në kandidim janë katër personalitete të fushës. Konkretisht për këtë post kanë kandiduar për dekan Pëllumb Pipero, Bajram Hysa, Genc Sulçebe, Arben Baboçi. Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja kandiduan Kloteda Dibra dhe Viktor Ristani, te Shkencat e Natyrës kandiduan Ilirian Malollari dhe Mynyr Koni. Te Shkencat Sociale kandidoi Theodhori Karaj, tek Infermieria kandidoi Petrit Bare dhe në Fakultetin Ekonomik kandiduan Andri Koxhaj dhe Sulo Hadëri.

Zgjedhjet në Universitetin e Durrësin me probleme

Kandidatët për rektor akuzojnë njëri-tjetrin për manipulime

Ndryshe nga kryeqyteti, gara për zgjedhjen e drejtuesit e rinj në Universitetin e Durrësit është shënuar me probleme shumta, të cilat kanë çuar jo vetëm në nisjen e procesit të votimit me shumë vonesë, por dhe në lëshimin e akuzave për manipulime ndërmjet kandiduesve. Si shkak i pretendimeve të njërit prej kandidatëve për rektor në këtë universitet në lidhje me vulën dhe materialet zgjedhore, komisioni që administron zgjedhjet në këtë strukturë publike të arsimit të lartë është detyruar të ndryshojë vulën, gjë që ka çuar në nisjen me vonesë të procesit të votimit, përkatësisht rreth orës 11:15. Pas situatës së krijuar, Arben Dushi, një nga tre kandidatët për rektor, ka deklaruar se shpreson që kjo situatë groteske të ndëshkohet me votë. Kandidati i tretë, Bardhyl Çeku, ka hedhur akuza në drejtim të rektorit aktual se ai ka tentuar të manipulojë procesin dhe për këtë arsye është kërkuar ndryshimi i vulës dhe materialeve zgjedhore. Ndërsa ish-rektori Mithat Mema është shprehur se çdo gjë po zhvillohet në mënyrë të qetë, duke kundërshtuar akuzat e ngritura për parregullsi nga dy kundërshtarët e tij në këtë garë. Për të zgjedhur drejtuesit e rinj të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë votuar 185 persona nga stafi akademik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›