Zgjedhjet, nis protesta e PS-së në Berat. Braçe: Qarku më i vjedhur
BERAT - Ka nisur protesta e Partisë Socialiste në Berat, qyteti i dytë pas TIranës ku kërkohet hetimi i zgjedhjeve parlamentare dhe hapja e kutive për leximin e drejtë të votës së shqiptarëve. Protesta e radhës vijon nën moton "Ku është vota ime?", "Hapni kutitë!."
Deputeti i PS-së, njëherësh deputeti i Beratit Erion Braçe ka deklaruar në fjalën e tij gjatë protestës në këtë qytet se beteja për votën e lirë do të vazhdojë në të gjithë Shqipërinë. "E drejta për votën është e drejtë themelore"- tha Braçe, duke shtuar se Berati është një nga qarqet më të vjedhura në Shqipëri.
Kryetari i PS-së së këtij qyteti, Selman Hodaj, më parë ka bërë publike detajet e këtij tubimi.
Sipas kreut aktual të selisë rozë në Berat, kjo protestë do të jetë më e madhja, e zhvilluar ndonjëherë dhe më e motivuara, për faktin që Berati është një nga qytetet ku vjedhja e votës ishte e përmasave të mëdha.
"Qytetarët e Beratit e kanë të qartë se Sali Berisha dhe paterica e tij, Ilir Meta, nuk mund të qeverisin vendin me vota të vjedhura dhe me një pushtet ilegjitim, prandaj është detyrë qytetare, që të protestojmë fuqishëm ndaj kësaj maskarade.
Kjo është dhe arsyeja, që qytetarët e Beratit nesër do të jenë të gjithë në sheshin para Pallatit të Kulturës "Margarita Tutulani" për të protestuar paqësisht për votën e vjedhur nga pushteti grabitqar i Sali Berishës,"- tha Hodaj.
Kryetari i PS-së së Beratit njoftoi gjithashtu, se socialistët e këtij qyteti mbështesin qëndrimin e Kryesisë dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, për bojkotin ndaj Parlamentit dhe zgjedhjeve të pjesshme vendore të 15 nëntorit.