E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet presidenciale: 25 pikat e kthesës

Sipas britanikes "Telegraph", janë 25 çastet më të rëndësishme të fushatës për zgjedhjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në numrin e djeshëm publikuam 13 nga 25 prej atyre që konsiderohen prej korrespondentëve të kësaj gazete si pikat e kthesës. Sot po publikojmë 12 të tjerat.

25. Rumni pretendon se është gjuetar

Në përpjekje për t‘u kujtuar republikanëve konservatorë se është një prej tyre, kandidati republikan, Mit Rumni, e portretizoi veten si tip sportiv, duke nënvizuar se "gjatë gjithë jetës kam qenë gjuetar". Kundrejt qëndrimeve, sipas të cilave politikani kishte qenë për gjah vetëm dy herë në jetën e vet, për lepuj e thëllëza, zëdhënësit e tij pranuan se "nuk kishte qenë ndonjë gjuetar tepër i pasionuar".

24. Ulje-ngritjet e MekKejnit në vitin 2007

Pasi tërhoqi mbi vete mërinë e konservatorëve, duke mbështetur një reformë të dështuar mbi emigracionin, fushata e MekKejnit për nominimin si kandidat i republikanëve u zbeh ndjeshëm në korrik të vitit 2007. Në opinione shfaqej si humbës, ndërsa fushata arriti thuajse në fazën e ndalesës së plotë dhe pjesa më e madhe e stafit të tij elektoral ishte pushuar ose dorëhequr. Ai u kthye përsëri më këmbë nga ajo fazë ulje-ngritjesh të forta, falë një ringjalljeje mbresëlënëse, por tani i duhet një ringjallje tjetër e atyre përmasave për të mundur Barak Obamën.

23. Obama shpall publikisht kandidaturën

Duhet të kesh nerv të pazakontë politik për t‘iu futur garës presidenciale, kur pas shpine ke vetëm dy vjet në senat dhe një CV, ku është për t‘u shënuar vetëm një kohë e shkurtër në legjislaturën e Ilinoisit. Dhe, duhet të kesh besim të jashtëzakonshëm te vetvetja për t‘u krahasuar me Abraham Linkolnin, i njohur gjerësisht si Presidenti më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, në rast se ke vendosur të bëhesh presidenti i parë me ngjyrë i SHBA-së, të qenit i druajtur nuk mund të të vijë shumë në ndihmë. Barak Obama tregoi se e kuptonte shumë mirë natyrën historike të kandidaturës së vet, kur e krahasoi veten me njeriun që çliroi skllevërit gjatë fjalimit, përmes të cilit shpalli hyrjen në garën presidenciale, i mbajtur në një ditë të acartë janari të vitit 2007 në Springfild të Ilinoisit. Obama shpalli përfshirjen në sfidën presidenciale në atë shtet ku ai vetë dhe Linkolni kishin filluar karrierat politike. Linkolni luftoi kundër federatës; Obama u ndesh me Hilari Klinton dhe tani me Xhon MekKejnin. 21 muaj pas nisjes së rrugëtimit të tij të pazakontë, duket se rezultati mund të jetë i njëjti.

22. "Robotelefonatat" për Bill Ajers

Një ditë pas debatit të fundit presidencial, stafi elektoral i MekKejnit ndërmori nëpër shtetet ku zhvillohej beteja elektorale një veprim agresiv, të njohur tashmë si "robotelefonatat". Në telefonatat automatike, një zë i regjistruar thoshte se "Obama ka lidhje të afërta me terroristin amerikan, Bill Ajers, organizata e të cilit vendosi bomba në Kongres, në Pentagon, në shtëpinë e një gjyqtari dhe vrau amerikanë", dhe se kandidatit me ngjyrë "i mungonte aftësia e gjykimit për të udhëhequr vendin tonë".

Obama, i cili e kishte dënuar veprimtarinë e Ajersit, që është zhvilluar kur kandidati me ngjyrë ishte fëmijë, u kundërpërgjigj energjikisht. Stafi i fushatës së tij elektorale i cilësoi telefonatat automatike "të ndyra" e të "pafytyra" dhe nënvizoi se, në gjendje të pashpresë, MekKejni kishte "punësuar strategjistët e Bushit". U nënvizua gjithashtu se kishte qenë vetë MekKejni ai që i kishte cilësuar si "telefonatat e urrejtjes" këto teknika elektorale, të cilat Xhorxh Bushi ia drejtoi vetë MekKejnit në vitin 2000.

Robotelefonatat u dënuan nga të dyja forcat politike amerikane dhe u cilësuan si "të pavenda" nga Kolin Pauell, ish-sekretari republikan i Shtetit, i cili u vu zyrtarisht përkrah Obamës me atë rast. Pauell vërejti se ndihej "i zhgënjyer" nga disa prej taktikave të fushatës së MekKejnit. Ndërkaq, MekKejni i mbrojti telefonatat, duke thënë se vendosnin pikëpyetje të rëndësishme mbi rivalin e tij demokrat.

21. MekKejn: Unë nuk jam Xhorxh Bushi

Pas paraqitjeve të dobëta kundrejt kundërshtarit gjatë dy debateve të para televizive, në debatin e tretë dhe të fundit MekKejni pa të domosdoshme ta shkëpuste veten nga Presidenti i 43-të me popullaritet të rrënuar: "Senator Obama, unë nuk jam Xhorxh Bushi. Nëse dëshironit të kandidonit kundër Xhorxh Bushit këtë duhet ta kishit bërë vite më parë". Më pas sqaroi se "i jam kundërvënë Presidentit mbi shpenzimet, ndryshimet klimaterike, torturimin e të burgosurve në Guantanamo dhe mbi mënyrën se si po zhvillohej lufta në Irak".

20. Irritimi i Billit kundër Obamës

Bill Klinton, i cili në disa raste e dëmtoi të shoqen përmes disa shpërthimesh inatçore gjatë fazës primare, e humbi toruan për herë të parë në Nju Hempshair, pak pas dështimit të Hilari Klintonit në Kaukazin e Ajouas. Në vend që t‘i përgjigjej pyetjes së një prej të pranishmëve mbi një konkluzion të ekspertit të sondazheve Mark Pen, Billi, me fytyrë të skuqur nga zemërimi, iu kthye kredencialeve të Obamës mbi luftën në Irak. Ai e mbylli zbrazjen e zemërimit me një koment të ashpër kundër rivalit të bashkëshortes: "E gjitha kjo është përralla më e madhe që kam dëgjuar".

Ky qëndrim ishte pikënisja e një prirjeje të dëmshme. Hilari luftoi me forcë në Nju Hempshair, por ndërhyrjet e mëtejshme të të shoqit veç ia dëmtuan fushatën, u kritikuan si deklarata me tone të konsiderueshme racore dhe i shtynë votuesit afroamerikanë tërësisht në drejtim të Obamës.

19. Grushti i sikletshëm

Si për inat të lexuesit të vet liberal dhe stafit elektoral të Obamës, në kopertinën e një numri të korrikut, revista prestigjioze "New Yorker" vendosi Barak dhe Mishel Obamën në zyrën ovale, teksa ky mbante lart njërin prej grushteve. Të dy gjendeshin në zyrën ovale dhe pas shpinës së Obamës, i veshur si luftëtar taleban, gjendej një foto e Osama Bin Laden. Mishel ishte veshur sipas modës afroamerikane të viteve ‘60 dhe në krah mbante një automatik.

Gjithçka nisi me imitimin e goditjes me grusht që Obama bëri në një podium elektoral - gjest tepër i përdorur në Amerikë. Një gazetar i rrjetit "Fox News" pyeti menjëherë mos bëhej fjalë për "grushtin e parë të ‘terroristëve‘". Vetë "New Yorker" sqaroi se në atë karikaturë satirizohej mbi Obamën dhe të shoqen. Zërat zyrtarë të stafit të fushatës së Obamës e konsideruan "pa shije dhe fyes", por duket se nuk pati forcë për të luajtur rol të dëmshëm gjatë rrugëtimit elektoral të kandidatit me ngjyrë.

18. Xhuliani dhe 11 shtatori

Gjatë një debati brenda Partisë Demokratike të kryer vjeshtën e shkuar, senatori Xho Baiden e vuri poshtë kandidatin republikan Rudi Xhuliani, duke e konsideruar kandidatin më të pakualifikuar presidencial pas Xhorxh Bushit.

Duke iu kthyer më pas me nota humoristike aftësive të ish-kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, Baiden tha: "Fjalitë e tij përbëhen vetëm nga tri elemente - një emër, një folje dhe 11 shtatori".

17. Marrëveshja e paqes në Irlandë e Hilari Klintonit

Nw muajin mars të këtij viti, gjatë fazës primare kundër Obamës, Hilari u kap dy herë në përpjekjet për të ekzagjeruar me përmbushjen e detyrave në politikën e jashtme në cilësinë e ish-zonjës së parë të vendit. Së pari, nënvizoi se kishte luajtur rol të dorës së parë në arritjen e paqes në Irlandën e Veriut gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së të Premtes së Mirë në vitin 1998. Fakt që u hodh poshtë, pasi britanikja "Telegraph" vërejti se bëhej fjalë për një ekzagjerim. "Paksa kalamallëk", komentoi Lordi Trimbëll i Liznagarvit, ish-ministri i Parë i provincës, i pyetur lidhur me kontributin e zonjës Klinton. "Nuk di të ketë bërë ndonjë gjë më të madhe, përveç se i ka bërë shoqëri Billit".

Pas tre javësh, gjatë frazave të zbukuruara elektorale solli në kujtesë atë që e quajti "vizitë nën zjarrin e snajperëve" në një udhëtim të bërë në vitin 1996 në Tuzla të Bosnjës. Problemi ishte se gazetarët që e shoqëronin gjatë atij udhëtimi as që e kishin vënë re këtë zjarr armësh dhe rrëmuan nëpër arkivat televizive për të gjetur pamjet filmike. Në to, Hilari tregohej teksa shëtiste gjithë qejf me të bijën, Çelsin dhe teksa përshëndeste e qeshur një vajzë boshnjake tetëvjeçare.

16. Lotët e Hilari Klintonit

Siç pranoi edhe më pas, lotët e rrjedhura padashur në një bar të Nju Hempshair, i erdhën në ndihmë ish-zonjës së parë për të ringjallur fushatën. E pyetur se si arrinte të tregohej kaq energjike dhe e pathyeshme, Hilari, me zërin që i dridhej, tha se nuk qe aspak e lehtë. E vërteta kishte dalë në shesh - edhe ajo kishte ndjenja.

15. Shtëpitë e shumta të Xhon MekKejnit

Në gushtin e këtij viti, MekKejni e dëmtoi ndjeshëm fushatën e tij, duke mos ditur t‘i përgjigjej me saktësi pyetjes se sa shtëpi zotëronin ai dhe e shoqja e pasur, Sindi. Gafa i dha shkëndijën një sulmi të menjëhershëm nga ana e mediave për të mësuar me saktësi numrin e shtëpive të kandidatit - mendohet se janë 7 deri në 10 - ndërkohë që stafi i Obamës nuk e la t‘i shpëtonte ky rast për të portretizuar kandidatin republikan si larg realitetit ekonomik dhe nevojave të amerikanëve të thjeshtë.

"Një hendek shumë i thellë gjendet mes botës së MekKejnit dhe asaj që i duhet të përballojnë çdo ditë amerikanët e thjeshtë në jetën e tyre", vërejti kandidati me ngjyrë. Komentet e MekKejnit u bënë vetëm pak ditë pasi kishte thënë se përkufizonte si të pasur dikë që fitonte më shumë se 5 miliardë dollarë në vit, përkufizim të cilin asistentët e tij e quajtën me këmbëngulje "batutë".

14. Është ora 03.00 e mëngjesit: Kush do të doje t‘i përgjigjej telefonit?

Në shkurt, Hilari Klinton shfaqi një spot të diskutueshëm, ku viheshin pikëpyetje mbi kredencialet e Obamës lidhur me sigurinë kombëtare, duke nënvizuar njëherësh përvojën në arenën e politikës ndërkombëtare të ish-zonjës së parë. Spoti, i cili u shfaq në Teksas vetëm pak primareve në këtë shtet, tregonte fëmijë të shtrirë në shtrat, ndërsa një zë u thoshte: "Është ora 03.00 e mëngjesit dhe fëmijët tuaj flenë të qetë e të sigurt. Por në Shtëpinë e Bardhë gjendet një telefon dhe zilja e tij po bie - diçka po ndodh nëpër botë. Vota jote do të vendosë për kë do ta ngrejë atë telefon".

Synimi i spotit ishte portretizimi i ish-zonjës së parë si "njeri i sprovuar dhe i gatshëm të udhëheqë në këtë botë të rrezikshme", ndërkohë që rrekej të nxirrte sa më në pah mungesën e rrezikshme të përvojës së rivalit. Ekspertët e fushatës së Obamës e akuzuan spotin "për ngjalljen e frikës te njerëzit". Pas tij Hilari arriti fitore shumë të rëndësishme në Teksas dhe Ohajo, gjë që e bëri të mbetej ende në garën brenda radhëve të partisë republikane.

13. Divorci MekKejn-Peilin

Ndërkaq, mediat amerikane ditët e fundit folën për divorc mes MekKejnit dhe Sara Peilin (së cilës duket se i kanë ardhur në majë të hundës akuzat që e shohin si shkaktare të dështimeve republikane). Lidhur me këtë temë, senatori 72-vjeçar vendosi të përgënjeshtrojë gjithçka, pavarësisht se jo të gjithë janë të bindur se MekKejn thotë lidhur me bashkëkandidaten atë që mendon vërtet. Gjatë një interviste në televizionin NBC, ai mohoi tërësisht qëndrimin sipas të cilit fajëson Peilin për dështimin e fushatës, për shkak të "paaftësisë" dhe "papjekurisë" së kësaj të fundit.

"Nuk e mbroj, e lëvdoj", iu përgjigj pyetjes mbi këtë temë, "pasi është pikërisht ajo për të cilën ka nevojë Uashingtoni". Gjithashtu ai hodhi poshtë edhe kritikat për 150 mijë dollarët e shpenzuar për veshjet luksoze me të cilat është shfaqur gjatë fushatës. "Bën një jetë shumë të thjeshtë. Ajo dhe familja e saj nuk janë të pasur dhe në këtë vorbull janë tërhequr kundër dëshirës së tyre. Është një model për miliona e miliona amerikanë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›