E Diel, 1 Nëntor 2026

Flokë kujtimesh

Natali Ginsburg i pëlqente mbrëmjet në Romë. Kohët kur e vetme dilte e rrinte gjatë në oborrin që kundërmonte erë pemësh, apo kur në barin bri pinte deri vonë me miqtë e saj të letrave. Gjithë jeta e saj shtrihet në rrugët e ngushta, që kalojnë bri shtëpive karakteristike të këtij qyteti. Dhe pse ishte një vajzë nga Palermo, Roma është një tjetër dashuri për gruan që mbajti flokët gjithnjë të shkurtër, dhe besoi se është gjithnjë një forcë diku brenda nesh që nuk na lë të rrëzohemi, dhe ajo duhet kërkuar thellë, shumë thellë… Ajo besoi në këtë teori dhe në ditët kur shiu trokiste gjatë në xhamat bri dhomës së gjumit, në ditët e para të dhjetorit të vitit 1991. Teksa ndjente dhembje të forta në trup, kjo grua tashmë në moshën 71-vjeçare e ndjente se ky ishte shiu i fundit, që do të ndjente në jetën e saj. Në tavolinën bri dritares, ajo u ul, duke lënë mënjanë dhembjet dhe nisi të shkruante kohët kur ky shi i ishte dukur aq i bukur… Kur në dimrin e viteve ‘30-të ajo priste me një çadër nën shi, të vinte burri që deshi aq shumë, Leone Ginsburg. Dhe më pas, të dy, deri pas mesnate, i dëgjonin këto trokitje nën të njëjtën dhomë… Natalia Ginsburg diti të ikte bukur nga kjo jetë, dhe pse për letërsinë italiane kjo ikje ishte një humbje e madhe… Ajo sërish u mbështet pas kujtimeve, për të kaluar pragun për në botën tjetër… Por kush është Natalia Ginsburg, emri i së cilës është përmendur shpesh si kandidate për çmimin Nobel? Për të folur për këtë shkrimtare, ne kemi zgjedhur librin e saj, përkthyer në shqip nga Donika Omari "Fjalë familjare" dhe botuar në vitin 1993 nga shtëpia botuese "Elena Gjika". Natali e ka quajtur këtë libër një rrëfim autobiografik. "Në këtë libër, vendet, faktet e njerëzit janë të vërtetë. Nuk kam shpikur asgjë; dhe sa herë që shkoja pas gjurmës së zakonit tim të vjetër si romanciere dhe shpikja, menjëherë nisja e i prishja atë që kisha shpikur", shkruan ajo në parathënie. Ginsburg bën në këtë libër një udhëtim në të shkuarën e saj, një e shkuar që, teksa e lexojmë, na ngjason si e shkuara jonë. Një e shkuar që na bën të analizojmë deri në detaje të sotmen tonë, dhe na bën të kuptojmë se çdo hap, çdo gjë, zgjedhje që kemi bërë në jetë, ka një lidhje të pashmangshme me gjërat që kemi njohur dikur… Familja e Ginsburg është një familje e madhe, e ëma e saj është një grua e urtë, që i shkonte të shoqit pas… dikur kjo grua nga Palermo kishte parë në rrugë një burrë të veshur bukur. Por vetëm kaq, më pas jeta e saj ishte një përpjekje për t‘u kujdesur për fëmijët dhe të shoqin, pa kujtime, pa dashuri. "Shumë prej kujtimeve të saj qenë të tilla: fraza të thjeshta që kishte dëgjuar", shkruan Ginsburg. Natalia i portretizon aq ndjeshëm gjithë anëtarët e familjes së saj të madhe, duke bërë që ne të shohim te secili prej tyre, një njeri të dashur të jetës sonë. I ati i saj, një njeri që çmonte socializmin, dhe pëlqente romanet e Zolait, është një portret real i pjesës më të madhe të burrave italianë të atyre viteve. Ky libër është dhe një kronikë e antifashizmit, parë në kohë të ndryshme, nga një shkrimtare që një herë e vë veten në rolin e një fëmije, e më pas të një gruaje, që përballet me sfidat e kohës. Ky roman na tregon se fjalët që kemi dëgjuar qysh fëmijë nga prindërit tanë, nga miqtë, që me orë të tëra kanë gëzuar në tavolinën e mbushur plotë, na ndjekin pas gjithnjë në jetë, dhe në një farë mënyrë na japin orientimin drejt të ardhmes. Dhe pse Natalia e quajti këtë roman një rrëfim për njerëzit e saj të dashur, ai u kthye në një nga librat më të lexuar të kohës, për vetë faktin se tregonte aq mirë kohën në të cilin u shkrua. Sistemet politike, shoqërore, kulturore mund të rrëfehen dhe nëpërmjet fjalëve tepër të thjeshta si te ky libër… "Arti i Ginsburgut" është i bërë me pak gjë: aty mbizotëron e zakonshmja me një humor melankolik, një stil i zhveshur (përkthyesi këtu duhet të ketë kujdes t‘i përmbahet nivelit të gjuhës së thjeshtë bisedore, pa provuar "të zbukurojë" a "të pasurojë". Si ia arrin ajo të të robërojë me këto mjete kaq të varfra, kjo është një pyetje që shtrohet gjithnjë parapara të fshehtave të artit të madh. Për rastin e saj, një gjë mund të thuhet me siguri: Ginsburgu nuk është bërë shkrimtare. Ajo ka lindur e tillë", shkruan përkthyesja Omari. Ginsburg është autore e shumë romaneve, pjesëve për teatër, eseve, biografive të letrarizuara. Ajo filloi të shkruante që adoleshente. Librin e parë "Rruga që shpie në qytet" (1942) e botoi me pseudonim, pasi fashizmi nuk i jepte të drejtë botimi autorëve hebrenj. Por vepra që e bëri të njohur është pikërisht libri autobiografik "Fjalë familjare". Librat të tjerë të saj janë "Të shkruaj që të them", "Zërat e mbrëmjes", "Virtyte të vogla", "Qyteti dhe shtëpia" etj. "Në romanet e saj zotëron përkushtimi ndaj të pambrojturve dhe kundërshtimi ndaj konvencioneve e absurditeteve të ligjshmërisë e administratës shtetërore që veprojnë mbi njerëzit. Larg artifiseve letrare, me një dialog të përditshëm, me një formë të thjeshtë, si pa u vënë re, ajo ndërton portrete të shkëlqyera të njerëzve, të rrugës, të varfërve, grave të përdala, që gëzojnë simpatinë e mbrojtjes së saj", shkruan Omari. Ky libër të çon larg në kohë… dhe ti sheh fëmijërinë tënde, siluetën e babait, teksa të pyet për orarin e mësimeve, kohët e dashurive të para, mbylljen në dhomë pas çdo zhgënjimi, divorcin dhe të ndjerin e tiktakut të zemrës, që fillon të rrahë sërish… Jeta private e Ginsburg nuk ndryshon shumë nga e personazheve të saj femra. Në vitin 1938, ajo martohet me politikanin dhe gazetarin e njohur, Leone Ginzburg, mbiemrin e të cilit do ta mbajë gjithmonë. Leone është një nga përkthyesit më të mirë të letërsisë ruse në italisht. Për shkak të ideve të tij antifashiste, ai burgoset dhe torturohet në burgun e Regina Coeli, në vitin 1944. Si çdo dashuri dhe ajo e Natalisë me Leonen do të përfundonte me divorc. Vite më pas, ajo u martua me profesorin Gabriele Baldini, i cili do të ndërronte jetë vetëm disa vite pas kësaj martese... Jeta e saj, ashtu si vetë Ginsburg, është e ngjashme me Romën mbrëmjeve pa hënë...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›