Zgjedhjet presidenciale mund të mbahen edhe sivjet

Kështu janë shprehur të hënën në një konferencë për media pas mbledhjes së Komisionit për Ndryshime Kushtetuese përfaqësuesit e dy partive më të mëdha në vend, PDK-së dhe LDK-së.
Vjosa Osmani, anëtare e Komisionit për Ndryshime Kushtetuese që vjen nga LDK-ja, duke folur për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, ka thënë se ekziston bazë juridike që zgjedhjet të mbahen në këtë vit, por ka shtuar se kjo varët edhe se çka vendoset politikisht dhe varët edhe nga miratimi i amendamenteve kushtetuese, sepse pa hyrjen në fuqi të tyre nuk mund as të shpallen zgjedhje e reja presidenciale.
“Në aspektin juridik dhe kushtetues ka hapësirë që ato të mbahen sivjet, çka do të vendoset politikisht varët shumë edhe nga momenti kur miratohen këto amendamente, sepse pa hyrë amendamente në fuqi nuk mund të shpallen zgjedhjet e reja presidenciale”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se për t’u shpallë këto zgjedhje të reja duhen votat e shumicës së dyfishtë, që nënkupton se pa votuar edhe partia në pushtet edhe komunitetet pakicë, por edhe një pjesë e madhe e opozitës, nuk mund të hyjnë amendamentet të fuqi dhe rrjedhimisht nuk mund të shpallen as zgjedhjet.
Po ashtu ajo ka shfaqur shpresën se deklarimet politike që kanë ekzistuar që nga fillimi për respektimin e marrëveshjes politike në mes liderëve sa i përket zgjedhjeve presidenciale dhe rezolutës që ka qenë si pasojë e asaj marrëveshjeje do të respektohen deri në fund.
Osmani e ka ritheksuar edhe njëherë qëndrimin e partisë së saj për respektimin e marrëveshjes në mes liderëve.
“Ju keni dëgjuar disa herë edhe kryetarin e LDK-së, por edhe anëtarët e kryesisë, ka qenë edhe qëndrim unanim i kryesisë që të respektohet marrëveshja e liderëve. Ne shpresojmë që kjo marrëveshje do të miratohet përmes këtyre amendamenteve me shumicën e dyfishtë në Kuvend”, ka thënë ajo.
Ndërsa kryetari i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, Arsim Bajrami që vjen nga partia në pushtet, ka thënë se data e mbajtjes së zgjedhjeve nuk varët nga Komisioni që ai e drejton, por siç tha ai, me amendamente këtë përgjegjësi e kanë bartur tek kryetari i Kuvendit.
Kjo nuk varet nga komisioni, ajo që është varur nga komisioni ne e kemi përfunduar përkundër spekulimeve politike. Komisioni ka qenë shumë korrekt dhe po e përfundon mandatin me sukses dhe nuk merr asnjë përgjegjësi për datën e shpalljes së zgjedhjeve. Ne këtë përgjegjësi e kemi bartë tek autoriteti i kryetarit të Kuvendit. Në bazë të amendamenteve që ne i kemi paraparë, kryetari i Kuvendit është i obliguar që pas hyrjes në fuqi, gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të këtyre amendamenteve të dekretojë zgjedhjet presidenciale, dhe sa i përket komisionit nuk ka asnjë pengesë që kjo edhe të ndodh”, tha ai.
Komisioni për Ndryshime Kushtetuese ka bërë një sërë ndryshimesh kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit, mandatin e tij dhe kompetencat që do t’i ketë. /kosovapress/