E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uliks Fehmiu kritikon spastrimet etnike

Konsideroj që vetëm ai i cili ka qëndrim kritik ndaj popullit të vet është njeri që e do vërtetë atë, deklaroi për video-portalin Novi magazin, aktori Uliks Fehmiu (i biri i aktorit të ndjerë Bekim Fehmiu).

“Krimet e luftës kanë pasur ndikim në jetën time, jetën tonë private dhe kanë ndryshuar mënyrën me të cilën kam jetuar”, tha Fehmiu, duke shtuar se ka pasur rast të dëgjojë njerëz të cilët kanë qenë pjesëtarë të organizatave paramilitare.

“Ata njerëz, të cilët kanë marrë pjesë dhe kanë qenë të pranishëm gjatë atyre krimeve të tmerrshme, kanë qenë të vetëdijshëm se çka po bëjnë”, tha ai.

Sipas fjalëve të tij, që i transmeton agjencia e lajmeve FoNet, qindra mija njerëz nuk është dashur të përfundojnë tragjikisht dhe këtu bëhet fjalë për tmerre që kanë lënë gjurmë dhe barten në gjenerata të reja “për arsye të karrigeve komode apo mospasjes së kurajës”, citon Koha.net.

“Unë jam fëmijë nga martesa e përzier. Unë jam etnikisht i papastër në procesin e pastrimit etnik, kurse unë nuk kam dashur të marrë pjesë në pastrim etnik të të papastërve, të cilëve, siç thash, edhe u takoj”, tha Uliksi, i cili tash e gati 20 vjet e ka braktisur Beogradin dhe jeton në New York.

Në filmin “Ustanicka ulica” ai e luan rolin e një pjesëtari të formacioneve paramilitare serbe, që ka marrë pjesë në konflikte në territorin e ish-Jugosllavisë dhe ka kryer krime të luftës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›