E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezultati i zgjedhjeve ne qarkun e Lezhes KQZ vendos sot

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi shtyrjen e shqyrtimit të vendimmarrjes, pas rinumërimit të 10 kutive të votimit në Qarkun Lezhë. Kërkesa për shtyrje u bë nga përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, me argumentin se kishte nevojë për më shumë kohë për të parë dokumentacionin përkatës. Nga rinumërimi i 10 kutive të votimit në Qarkun Lezhë, pas kërkesës së Partisë Demokratike, rezulton se koalicioni i djathtë ka marrë 306 vota më shumë se ai i majtë. Ndërkohë në rezultatet e miratuara më parë nga KQZ për këtë qark, të djathtët kishin 39 vota më shumë. Ky proces ka vërtetuar shumë nga parregullsitë e pretenduara. Janë vënë re vota të shtuara për Partinë Socialiste, ndërsa mungonin vota për Partinë Demokratike dhe partitë e vogla. Në baze të këtij rinumërimi Partia Demokratike forcon mandatin e katërt në këtë qark. Tashmë socialistet kanë 2 mandate deputeti dhe LSI një mandat. 
Gjithashtu, KQZ, pas kërkesës së përfaqësuesit të Partisë Republikane, ka vendosur shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës ankimore të kësaj force politike, e cila kundërshton rezultatin për Qarkun Shkodër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›