Zgjedhjet serbe, Qeveria e Kosovës kërkon reagim nga BE
Qeveria e Kosovës ka reaguar kundër vendimit të Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në Kosovës. Përmes një deklarate për shtyp Qeveria e Kosovës konsideron se qëndrimi i Beogradit zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë është i papranueshëm.
Në deklaratë thuhet se kabineti qeveritar Kosovës i i kujton edhe njëherë Beogradit zyrtar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe Serbia nuk ka asnjë lloj juridiksioni apo të drejte mbi Republikën e Kosovës.
“Vendimi i sotëm e demaskon qasjen anti-evropiane të Serbisë ndaj Kosovës si dhe demonstron që Serbia vazhdon të ushqej politikat e shekullit të kaluar”, thuhet në deklaratë.Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka kontaktuar me faktorët relevant ndërkombëtar, duke ua bërë me dije që sjelljet e tilla janë të papranueshme. “Bashkimi Evropian duhet t`ia bëjë të qartë Serbisë që mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me vlerat dhe parimet evropiane”.
Qeveria e Kosovës konsideron se mbajtja e zgjedhjeve të tilla do të jetë pa efekt legal juridik apo politik, dhe si të tilla do të trajtohen, pra si zgjedhje ilegale dhe pa legjitimitet demokratik. Qeveria e Kosovës po ashtu i fton gjithë qytetarët serbë të Kosovës që të jenë pjesë e institucioneve demokratike kushtetuese të Republikës së Kosovës.