E Diel, 1 Nëntor 2026

Juppe: Serbia jo zgjedhje në Kosovë

Republika e Francës i ka kërkuar zyrtarisht Serbisë të heqë dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë, nëse prioritet për Beogradin zyrtar mbetet afrimi në Bashkimin Evropian. Në një njoftim për shtyp MPJ franceze thekson mbështetjen e saj për sovranitetin e Republikës së Kosovës.
 

“Franca kërkon nga Serbia që të përmbahet për thirrjen e organizimit të zgjedhjeve komunale në Kosovë. Një vendim i tillë do të binte në kundërshtim me rezolutën 1244/99 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe me realitetin e Kosovës së pavarur nga viti 2008, konform me të drejtën ndërkombëtare (mendimi i GJND-së, më datë 22 korrik 2010)”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Francës.
 

Më tej theksohet gjithashtu se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë nuk do të ishte konform frymës së procesit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe nismës serbe për afrim me Bashkimin Evropian.
 

Pak orë më parë kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Slavica Djukic - Dejanovic, ka shpallur 6 majin datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat dhe qytetet e Serbisë, përfshirë këtu edhe komunat në Kosovë, në të cilat qeverive lokale u ka skaduar mandati.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›