E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet serbe në Mitrovicë, ilegale

Institucionet dhe opozita në Prishtinë, i cilësojnë të papranueshme dhe ilegale zgjedhjet e paralajmëruara të Serbisë në Mitrovicë. Këto zgjedhje shihen si përpjekje e Beogradit për t’i sfiduar planet për integrimin e pjesës veriore.

Zgjedhjet lokale të Serbisë, të paralajmëruara të mbahen më 30 maj në Mitrovicë, nga institucionet e Kosovës do të konsiderohen ilegale dhe jo legjitime.

Zëdhënësi i Presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Beogradi edhe vetë po e sheh fare qartë se roli i tij në vendbanimet serbe po zbehet.

Kjo, sipas tij, është vërejtur edhe me zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, ku kishte një dalje dhe pjesëmarrje solide të serbëve.

Kurse zgjedhjet e Serbisë, si ato në Mitrovicë apo vendbanime tjera, ai i cilëson si ilegale dhe të papërfillshme për institucionet e Kosovës.

“Çfarëdo rezultati që mund të dalë prej atyre zgjedhjeve që po proklamohen, është i parëndësishëm, sepse ato zgjedhje janë jolegjitime dhe si të tilla, janë të papranueshme për institucionet dhe popullin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Beqiri.

Këto zgjedhje ai i sheh edhe si një përpjekje serbe për të penguar planet vendore e ndërkombëtare për integrimin e pjesës veriore.

Mirëpo, pavarësisht destruksioneve serbe, Beqiri tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë me komunitetin serb që të integrohet.

Ndërkohë, Avni Arifi nga Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kërkon nga Qeveria që të ndërmarrë hapa kundër strukturave të pushtetit të Serbisë, në mënyrë që të mos lejohet cenimi i sovranitetit të shtetit të Kosovës.

“Natyrisht se nuk mendoj në asnjë mënyrë që të përdoret dhuna. Megjithatë, mekanizmat e strukturave paralele dhe strukturave që votohen në territorin e Republikës së Kosovës dhe që i takojnë një shteti tjetër duhet të jenë të limituara dhe thjesht të parandaluara”, ka thënë Arifi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›