E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshje për gjelbërimin e shkollave

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj dhe ai i Pylltarisë, Idriz Vehapi, nënshkruan sot një marrëveshje mirëkuptimi, e cila ka për qëllim zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbëruara në hapësirat shkollore në dhjetëvjeçarin e ardhshëm (2010-2020) dhe ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen dhe krijimin e një ambienti të shëndoshë.

Kjo marrëveshje përmban kornizën e punës si dhe përgjegjësitë e palëve në lidhje me zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbëruara nëpër hapësirat shkollore, në kuadër të aksionit “Java e Gjelbër” dhe që është pjesë e projektit tradicional për mbëltimin e fidanëve me moton “Një banor, një fidan” që zhvillohet nën patronatin e kryeministrit të Kosovës.

Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Hoxhaj, bëri të ditur se në 1200 objektet shkollore sa janë në vend, do të fillojë gjelbërimi i hapësirave të tyre. “Ne si ministri do ta fillojmë edhe një javë, e cila do të thirret si ‘Java e Gjelbër’ dhe do të jetë tradicionale, përmes së cilës do të bëjmë përpjekje që çdo vit ta rrisim vetëdijesimin e nxënësve, mësimdhënësve sa i takon mjedisit dhe ambientit (ajrit, ujit dhe biodiversitetit). Në të njëjtën kohë, jemi shumë të interesuar që në programet tona mësimore të zhvillojmë materiale dhe mjete mësimore që do të përdoren në shkollat e Kosovës”, tha Hoxhaj.

Ministria e Bujqësisë, e Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural (MBPZHR) për gjelbërimin e sipërfaqeve përreth shkollave dhe në 10 vitet e ardhshme, do të ndajë nga 10 mijë fidanë në vit për këtë qëllim. “Në këto periudha nxënësit do të mësojnë edhe për rëndësinë e gjelbërimit, por edhe për fenomene të tjera natyrore që drejtpërdrejt ndikojnë në mjedis dhe rëndësinë e sipërfaqeve të gjelbëruara, që njëkohësisht ndikon në ruajtjen e ambientit, por edhe në stabilitetit e ndryshimeve klimatike, të cilat dekadave të fundit veç janë evidente”, ka thënë ministri Vehapi.

Sipas marrëveshjes, MBPZHR-ja do të bëjë bartjen e fidanëve nga fidanishtja e kësaj ministrie në Pejë, gjithashtu edhe monitorimin profesional, ndërsa mbëltimi i fidanëve do të bëhet nga nxënësit dhe punëtorët e shkollave.

Mbjellja e 10 mijë fidanëve të ndara për këtë vit, do të fillojë qysh javën e ardhshme, në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme nëpër qytetet e Kosovës.

Ky proces do të zgjasë tri javë, ndërkohë që do të realizohet edhe “Java e Gjelbër”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›