E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet vendore hapen qendrat e votimit nisin problemet e para

TIRANE- Në Shqipërsi mbi 3 milionë votues do ti drejtohen sot qendrave të votimit për të zgjedhur drejtuesit lokalë në 383 njësi vendore si dhe 6125 anëtarët në këshillat bashkiakë dhe komunarë, për 4 vitet e ardhshme
Janë 3. 164.859 votues të regjistruar në listat e zgjedhësve, për të votuar në 4932 qendra votimi të cilat sipas ligjit hapen në orën 07:00 dhe mbyllen në orën 19:00 të ditës së sotme.

HAPQEN QENDRAT E VOTIMIT, VIHEN RE PROBLEMET E PARA
Ora 07: 40 Në orën 07.00 janë hapur zyrtarisht qendrat e votimit. Nga raportimet e para në NEWS24 të gjitha qytetet për momentin gjithcka është e qetë ndërkohë që në Tiranë, dy qendra votimi, sic raporton tv nuk janë hapur ende, deri në orën 07. 30.
Në njësinë bashkiake nr 9, në shkollën “Sami Frashëri” qendra e votimit me nr. 1969, në orën 07: 30 ende nuk ishte hapur për shkak të disa problemeve me dokumentet. Ndërkohë që vihen re votues që presin të votojnë. As në “Kongresin e Lushnjës”, nuk është hapur një qendër votimi me nr 1753 për shkak të mungesës së një komisioneri, informon NEWS24

ZGJEDHJET
Në zgjedhjet për pushtetin lokal janë regjistruar zyrtarisht në KQZ 56 subjekte zgjedhorë, 45 prej të cilave janë grupuar në dy koalicione, një i spektrit të djathtë, "Aleanca për Qytetarin", i cili përfshin 22 parti dhe kryesohet nga PD dhe koalicion i spektrit të majtë "Aleanca për të Ardhmen", që grupon 23 parti dhe kryesohet nga PS.

Zgjedhjet do të jenë nën vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe të vetë Parlamentit Europian. Një delegacion i këtij institucioni, i kryesuar nga eurodeputeti Eduard Kukan ndodhet në Tiranë, ndërsa sot pritet të vijë dhe drejtori i OSBE/ODIHR-it, Janez Lenarçiç.

Në axhendën e tij, zyrtari i lartë i OSBE-ODIHR-it parashikon që në orën 11:00 të zhvillojë një takim me Presidentin e vendit, Bamir Topi.
Mbi 7 mijë forca policie janë angazhuar për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

VEZHGIMI
Mbi 4000 vëzhgues, të huaj dhe vendas janë regjistruar në KQZ për të monitoruar procesin zgjedhor duke u shpërndarë në të gjitha qendrat e votimit në të gjithë Shqipërinë.

Mes tyre është dhe misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR, përbëhet nga 300 vëzhgues afat shkurtër të cilët do të monitorojnë dhe procesin e numërimit, ndërsa 900 vëzhgues janë akredituar nga koalicioni i vëzhguesve vendorë, të cilët do të kryejnë monitorim on-line 24 orë duke komunikuar në kohë reale me publikun.

BERISHA:ZGJEDHJET DO JENE TE QETA
Kryeministri ka minimizuar mundësinë e dhunës në zgjedhjet e sotme vendore."Kjo fushatë elektorale ka qenë më e qetë. Ka pasur incidente por jo vdekje", ka deklaruar dje Berisha agjencisë France Press.
"Mendoj se gjithçka do të jetë në rregull" në ditën e zgjedhjeve, ka shtuar kryeministri shqiptar. Ndërsa presidenti Bamir Topi dy ditë më parë bëri apel qytetarëve për të dalë në votime me qëllim që të vendosin vetë për të ardhmen e tyre me anë të votës.
(s.g/balkanWeb) Lidhje te tjera Lista e plotë e kandidatëve të zgjedhjeve të 8 maj VIDEO: Zgjedhjet vendore hapen zyrtarisht qendrat e votimit FOTO: Sot zgjedhjet vendore hapen zyrtarisht qendrat e votimit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›