Zgjedhjet vendore në Kosovë – Mbahet nesër raundi i dytë për zgjedhjen e kryetarëve të 18 komunave

Një milion e 316 mijë e 672 banorë të 18 komunave të Kosovës do t’u drejtohen sërish të dielën kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e këtyre komunave në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore. Janë 507 qendra votimi të cilat do të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19 ku qytetarët do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur mes dy kandidatëve që morën më shumë vota në raundin e parë të 12 tetorit.
Zëdhënësi i komisionit qendror të zgjedhjeve bëri me dije se janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Gjatë ditës së shtunë, KQZ ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, në 18 komuna, në të cilat do të votohet më 9 nëntor. Ky material, në orët e hershme të mëngjesit do të dërgohet në Qendrat e Votimit / Vendvotime, të cilat do të hapen në orën 07:00”, tha Elezi.
Masa janë marrë edhe nga policia e Kosovës për garantimin zgjedhjeve të qetë si dhe sigurinë materialeve zgjedhore deri në përfundim të procesit. Balotazhi për kryetarë të komunave do të mbahet nesër në 18 komuna – Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
/rtsh.al/