Zgjerimi i BE-së, jo prioritet për Greqinë
Zgjerimi i BE, nuk përbën prioritet për Greqinë, vend që merr presidencën e rradhës së Unionit në Janar të vitit që vjen. Ky fakt vjen në kundërshtim me angazhimin paraprak të këtij vendi për të promovuar zgjerimin e Bllokut në Ballkanin Perëndimor.
Është një artikull i Euroactiv që nënvizon se në faqen e internetit të Ministrisë greke të Punëve të Jashtme janë publikuar së fundmi prioritetet e Presidencës greke, të ndarë në katër kapituj dhe asnjëri prej tyre nuk ka të bëjë me zgjerimin
Ulja e papunësisë dhe qëndrueshmëria në këtë aspekt.
Integrimi i mëtejshëm i BE dhe eurozonë.
Emigracioni dhe çështja e kufijve.
Politikat detare.
Këto janë katër prioritetet e Greqisë.
“Zgjerimi mungon në këtë listë përkundër një angazhimi nga ana e Athinës në kuadrin e programit të përbashkët të të ashtuquajturës Trio e Kryesive – që përbëhet nga Irlanda, Lituania dhe Greqia -, e cila kishte përcaktuar zgjerimin si një “aspekt me rëndësi strategjike” .- thekson Euroactiv.
I pyetur nga Euroactiv për këtë fakt, Dimitris Kourkoulas, zëvendës ministri i jashtëm i Greqisë, ka thënë se zgjerimi gjithmonë ka qënë dhe do të vazhdojë të jetë një prioritet i lartë për vendin e tij.
Por ai tregoi se në vend të ngjarjeve të mëdha apo takimeve, Greqia kërkon që secili vend të bëjë përpjekjet e tij dhe ky proçes të bazohet në merita.
Më tej Euroactiv analizon marrdhëniet e trazuara të Athinës me shtetet fqinje, duke u ndalur kryesisht te Turqia për shkak të Qipros veriore dhe te Maqedonia për shkak të emrit. Ndërkohë që me Shqipërinë marrdhëniet kanë njohur ulje-ngritjet e tyre. Së fundi, çështja e toponimeve apo ajo e Kishës së Përmetit i kanë tensionuar këto marrdhënie, për ëe mos harruar kufirin detar, që ende mbetet një çështje e pambyllur.
Përtej konstatimit tëEuroactiv, analistët në shtetin helen theksojnë se fakti që zgjerimi nuk është prioritet, përbën edhe një mesazh të fortë e të qartë për vendet fqinje, Turqinë, Shqipërinë e Maqedoninë. Kjo politikë që do të ndiqet nga Greqia në krye të BE-së, gjithnjë sipas analistëve do t’i detyrojë shtetet fqinje të jenë më “tolerante” ndaj Athinës, e cila përmes këtij pozicioni do të përpiqet të mbyllë çështjet e mbetura pezull.