Zgjerimi i kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, vendos Shqipërinë lidere në rajon

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë në drejtim të prodhimit të energjisë së rinovueshme, si një rrugë kjo për të ulur varësinë nga kushtet atmosferike.
Në një kohë kur në agjendën e politikës ndërkombëtare klima dhe energjia janë kryefjalë, edhe Shqipëria po inkurajon investimet në sektorin e energjisë, duke ofruar një kuadër mbështetës dhe transparent për investime, duke nxitur investimet e huaja direkte në këtë sektor, duke forcuar sistemet e transmetimit të energjisë për të mbështetur tregtinë e brendshme dhe rajonale të energjisë përmes shkëmbimeve energjetike lokale dhe rajonale, si dhe duke promovuar praktika eficiente ndaj energjisë në të gjithë sektorët, duke përfshirë banesat rezidenciale, ndërtesat publike, sistemet e furnizimit me ujë dhe vaditjen.
Në Dokumentin e Politikave Prioritare për Periudhën 2026-2028, publikuar në Fletoren Zyrtare, që përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, bëhet e ditur se zgjerimi i kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, përmirësimi i infrastrukturës dhe përafrimi i politikave me standardet e BE-së, e ka pozicionuar Shqipërinë mirë për të arritur pavarësinë dhe qëndrueshmërinë energjetike.
“Angazhimi i vendit për të modernizuar sektorin e tij energjetik, jo vetëm që do të rrisë stabilitetin e brendshëm, por do ta vendosë Shqipërinë si një lider rajonal në energjinë e gjelbër”, thuhet më tej në këtë dokument.
Në funksion të bashkëpunimit rajonal për energjinë, në fillim të janarit 2025, qeveria shqiptare së bashku me qeverinë italiane dhe atë të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me vlerë rreth 1 miliard euro, për të krijuar një rrjet energjetik nënujor për të transmetuar energji të rinovueshme përmes detit Adriatik. Marrëveshja synon të forcojë infrastrukturën ekzistuese të energjisë dhe kapacitetin e energjisë së rinovueshme brenda rajonit të Mesdheut.
Sipas projektit që parashikohet të finalizohet brenda 3 viteve, rrjeti i ndërlidhjes së energjisë do të shtrihet rreth 430 km përgjatë shtratit të detit Adriatik, që lidh Italinë me Malin e Zi dhe rajonin e Ballkanit.
Projekti do t’i mundësojë vendit të tregtojë energjinë e rinovueshme të prodhuar në vend.
Viti 2024 shënoi rritje të energjisë diellore, e cila kontribuoi në 6,75% të totalit të energjisë së prodhuar, ose 430 000 megavat-orë, një rritje e konsiderueshme, nga 1% në 2023, ose 72 500 megavat-orë.
Vetëm centrali diellor i Karavastasë përbënte 55% të prodhimit të energjisë diellore.
Në 2024-ën, janë dhënë 16 licenca të reja për projektet diellore, me kapacitet të planifikuar, gjithsej, 253,14 megavat (MW), nga 9 licenca të dhëna në 2023, me kapacitet 102 megavat dhe 15 të dhëna në 2022, me kapacitet 225 megavat.
Impianti diellor lundrues në Vaun e Dejës me kapacitet 12,97 MWp (megawatt peak – shën. i red.) ka avancuar drejt zbatimit, i parashikuar të gjenerojë mesatarisht 17 822 megavat-orë në vit.
Gjatë vitit 2024, janë iniciuar ankandet për projekte solare me kapacitet 300 megavat me marrëveshje afatgjata të blerjes nga qeveria.
Zgjerimi i kapaciteteve gjeneruese pritet të vazhdojë trendin me fokus në rritjen e prodhimit të energjisë diellore dhe të erës, bazuar në investimet e sektorit privat, për të rritur më tej kontributet e energjisë së rinovueshme.
Reformat në tregun e energjisë elektrike kulmuan me krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë në 2023, me 827 541 megavat-orë energji të tregtuar me një çmim mesatar prej 106,5 €/mWh dhe duke lejuar çmimet konkurruese të energjisë dhe një integrim më të madh në tregun ndërkombëtar.
/r.e/