E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerimi i superstradës Tiranë–Durrës, ARRSH ndan pamjet: Avancojnë punimet në Laknas dhe Kashar

Punimet për zgjerimin e superstradës Tiranë–Durrës, në kuadër të Fazës III të projektit, po vijojnë në disa fronte pune, ndërsa sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, ecuria e punimeve ka tejkaluar grafikun e parashikuar.

Në kantier po punohet paralelisht për ndërtimin e nyjes së re të Laknasit dhe mbikalimit të ri të Kasharit, dy prej ndërhyrjeve të rëndësishme të kësaj faze. Krahas tyre, vijon edhe puna për formimin e trupit të rrugës dhe realizimin e ndërhyrjeve të tjera infrastrukturore të parashikuara në projekt.

Zgjerimi i aksit Tiranë–Durrës synon të përmirësojë ndjeshëm kushtet e qarkullimit në një prej segmenteve rrugore më të ngarkuara në vend. Projekti parashikon rritjen e kapacitetit të superstradës, përmirësimin e sigurisë rrugore dhe lehtësimin e trafikut, veçanërisht në zonat ku fluksi i automjeteve është më i lartë.

Sipas ARRSH-së, ritmi i punimeve në këtë fazë tregon një ecuri pozitive të projektit, ndërsa ndërhyrjet në nyjet dhe strukturat e reja pritet të ndikojnë në organizimin dhe përmirësimin e lëvizjes përgjatë aksit Tiranë–Durrës.

Superstrada Tiranë–Durrës është një nga arteriet kryesore të transportit në vend, duke lidhur kryeqytetin me Durrësin dhe zonat përreth. Për këtë arsye, zgjerimi dhe përmirësimi i saj konsiderohet një ndër projektet me rëndësi për infrastrukturën rrugore dhe menaxhimin e trafikut në këtë korridor.

Njoftimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar:

Tiranë–Durrës Faza III

Punimet për zgjerimin e Superstradës Tiranë–Durrës, Faza III, vijojnë me ritme të larta, duke shënuar progres të ndjeshëm dhe duke tejkaluar grafikun e parashikuar të punimeve.

Në kantier punohet intensivisht në disa fronte njëkohësisht:

Vijon ndërtimi i nyjes së re të Laknasit dhe i mbikalimit të ri të Kasharit

Punohet për formimin e trupit të rrugës dhe realizimin e ndërhyrjeve të tjera të parashikuara në këtë fazë.

Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës është një nga projektet më të rëndësishme për infrastrukturën rrugore kombëtare, që synon:

Rritjen e kapacitetit të aksit Tiranë–Durrës

Përmirësimin e sigurisë rrugore

Lehtësimin e qarkullimit dhe reduktimin e problematikave në një prej akseve më të ngarkuara të vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›