Zgjerohet baza e përfituesve nga Skema Kombëtare, rriten ndjeshëm aplikimet e fermerëve

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 ka zgjeruar bazën e përfituesve, duke mundësuar pjesëmarrje më të gjerë të fermerëve falë uljes së pragut minimal të financimit dhe lehtësimit të kritereve të aplikimit.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Ardita Kuçi bëri të ditur se ndryshimet e ndërmarra në skemën e këtij viti kanë sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të aplikimeve në disa prej masave kryesore mbështetëse.
Referuar statistikave të AZHBR-së, në masën për tufën bazë të matrikulluar të gjedhit, numri i aplikimeve u rrit nga 4425 në vitin 2025 në 6732 në vitin 2026, ose 2307 aplikime më shumë, duke shënuar një rritje prej 52,1%.
Edhe për tufën bazë të matrikulluar të të imtave është regjistruar një rritje e konsiderueshme. Aplikimet u shtuan nga 5670 në vitin 2025 në 7236 në vitin 2026, ose 1566 aplikime më shumë, që përfaqësojnë një rritje prej 27,6%.
Ndërkohë, rritja më e lartë është shënuar në masën për mbarështimin e bletarisë, ku numri i aplikimeve u rrit nga 4510 në vitin 2025 në 7016 në vitin 2026, ose 2506 aplikime më shumë, me një rritje prej 62,3%.
Sipas Kuçit, rritja e aplikimeve dëshmon interesin në rritje të fermerëve për të përfituar nga masat mbështetëse, si edhe efektin pozitiv të lehtësimit të kritereve dhe zgjerimit të bazës së përfituesve në kuadër të Skemës Kombëtare 2026.

/e.xh/j.p/r.e/