E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhen 10 më të mirët e Kult 2012

Gazeta Shqip

Për të tetin vit me radhë, Akademia Kult e ka kthyer në një festë vlerësimin e krijimtarisë artistike të një viti. Çmime, emocione, falënderime dhe performanca artistike. Në një mbrëmje të gjatë, të mbështetur edhe nga DigitAlb, Akademia Kult ka bërë të ditur emrat e 10 më të mirëve, të zgjedhur nga juritë përkatëse

Skena e Universitetit të Arteve është shndërruar mbrëmë në një arenë të trofeve artistikë. Për të tetin vit me radhë, Akademia Kult e ka kthyer në një festë vlerësimin e krijimtarisë artistike të një viti. Çmime, emocione, falënderime dhe performanca artistike. Në një mbrëmje të gjatë, të mbështetur edhe nga DigitAlb, Akademia Kult ka bërë të ditur emrat e 10 më të mirëve, të zgjedhur nga juritë përkatëse. Pas një pune të gjatë përzgjedhëse, secila nga juritë e 10 fushave të konkurrimit, ka vënë përballë katër më të mirët. Në fazën finale, kanë konkurruar 40 artistë për: Artisti Pamor i Vitit, Regjisori i Vitit, Aktori i Vitit, Aktorja e Vitit, Instrumentisti i Vitit, Interpretuesi Lirik i Vitit, Albumi Muzikor i Vitit, Libri Artistik, Libri Studimor, Përkthimi i Vitit. Që në fillim të mbrëmjes, në përshëndetjen e zakonshme të ceremonisë, drejtori ekzekutiv i Akademisë së Çmimeve Kult, Ylli Sula, ka theksuar vazhdimin e misionit që ata kanë ndërmarrë tetë vite më parë për të ndarë këto çmime vjetore, edhe pse kjo po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nismë private, që kohët e fundit nuk ka marrë mbështetje institucionale. Artistët kanë shkelur në tapetin e kuq e i janë drejtuar sallës së Akademisë së Arteve, për të mësuar fituesit. E duke qenë se u kushtohej artistëve, nuk mund të mungonin edhe performancat artistike. Këngëtarja Rovena Dilo dhe regjisori Mevlan Shanaj kishin marrë përsipër të bënin prezantuesit, duke bërë kështu edhe një bashkëbisedim të shkurtër me secilin nga 10 fituesit që u ngjit në skenë. Sidrit Bejleri dhe Redon Makashi nuk i kanë munguar atmosferës me interpretimet e tyre, ndërkohë që momente të veçanta ka dhuruar edhe aktorja e njohur, Margarita Xhepa. Ajo është ngjitur në skenë për të recituar poezi dashurie nga Lasgush Poradeci dhe Vojsava Nelo. Një pjesë e mirë e fituesve kanë mbajtur nga një fjalë të shkurtër falënderimi apo dedikimi, ndërsa kanë vlerësuar këtë aktivitet vjetor. Në hapësirat mes çmimeve, Mariana Leka i ka dhënë një tjetër ngjyrë atmosferës përmes interpretimit të saj. Si çdo vit, ndërsa 10 trofe kanë shkuar për artistët e gjallë, një kolazh ka kujtuar ata që nuk janë më mes nesh. Fotografi të tyre kanë kaluar njëra pas tjetrës në ekran, si homazh për atë që i kanë dhënë kulturës shqiptare. Këtë vit, ashtu siç edhe Ylli Sula e ka theksuar më parë, ka qenë risi edhe pjesëmarrja e Anëtarëve të Nderit. Tashmë, përveç jurive profesioniste të katër fushave të mëdha, Akademia KULT ka Anëtarët e saj të Nderit. Anëtarët e Nderit të Akademisë Kult janë zgjedhur për kontributin e rëndësishëm të dhënë ndër vite, në artin dhe kulturën shqiptare, si dhe mbështetje të vazhdueshme të synimit që ka Akademia Kult për krijimin e një tradite në vlerësimin e përvitshëm të prurjeve më të mira kulturore-artistike. Kur vite më parë filloi aventura e çmimeve KULT, pakkujt do ti shkonte mendja se mund të shkonin deri këtu. Megjithatë, pas kaq vitesh, ky institucion, tregoi se funksionon. Evidentohen artistët, që kanë kontribuar një vit më parë, por më shumë akoma ka shpresë për ta se gjatë vitit aq të ngarkuar shqiptar ka edhe një vlerësim… diku. Dhe, për shumë syresh, ky mbetet i vetmi çmim që i mban në ankth në vitin e ngarkuar me padurim, theksoi Sula.

Fituesit e çmimit Kult

Artisti Pamor i Vitit

Arben Bajo – ekspozitë personale Portrete – Galeria FAP

 

Aktori i Vitit

Gazmend Gjoka (Fred)- Riverside Drive

 

Aktorja e Vitit

Taulanda Jupi (Poncia)- Shtëpia e Bernarda Albës

Regjia e Vitit

Altin Basha – Amadeus

Libri Artistik

Ben Blushi Shqipëria Roman

 

Përkthyesi i Vitit

Drita Çetaku-Turdiu; Orhan Pamuk – Muzeu i pafajësisë

Libri Enciklopedik

Kolec Topalli Gramatikë historike e gjuhës shqipe

 

Albumi Muzikor

Redon Makashi – Botën Time

 

Instrumentisti i Vitit

Elda Laro (Piano) Koncert me Orkestrën e RTSH-së

 

Interpretuesi lirik

Saimir Pirgu (Werther) – Werther

Zgjidhen 10 më të mirët e Kult 2012 burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›