Topalli pret ministrin e Jashtëm të Maqedonisë Milloshoski

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli takoi sot Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë Antonio Milloshoski.
Takimi mes Kryetares së Kuvendit dhe Ministrit të Jashtëm maqedonas u përqëndrua më tej në projektin madhor të infrastrukturës Korridori 8.
Të dy autoritetet e larta cilësuan projektin një investim të madh të infrastrukturës në rrajon që do të forcojë urat e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Maqedonisë, Italisë dhe Bullgarisë, veçanërisht në zhvillimin e ekonomisë, rritjes së biznesit, lëvizjes së lirë të mallrave etj.
Kryetarja e Kuvendit tha se ka patur një lobim serioz të parlamenteve të vendeve të Koridorit 8 duke sjellë në kujtesë, mbledhjen e anëtarëve të Komisioneve parlamentare të Transportit, vitin e kaluar në Tiranë.
"Por për realizimin e këtij projekti nevojitet një politikë më agresive nga të gjitha nivelet e pushteteve legjizlativ dhe ekzekutiv të vendeve të Korridorit 8" - u shpreh Topalli.
Duke kaluar në analizën e situatës politike në Shqipëri, Topalli tha se bojkoti nuk është mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit, me standarte evropiane.
"Dikush kërkon të sulmojë thelbin e sistemit demokratik që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ai godet parimet e sistemit të lirë dhe demokratik. Ne nuk do të lejojmë goditjen e sistemit", theksoi ajo.
Kryetarja e Kuvendit siguroi Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, për gadishmërinë e Parlamentit shqiptar për të ratifikuar marëveshjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, në të gjitha fushat.