Topi takon Lohan, Montobbio e Withers

Kriza, Topi takon Lohan, Montobbio e Withers
Ende asnjë prej liderëve të maxhorancës apo opozitës nuk kanë zhvilluar asnjë takim me Presidentin e Republikës, ndërkohë që të vetmit që takojnë të gjithë aktorët e skenës politike janë ambasadorët.
Ndërsa pritej që kreu i shtetit shqiptar të zhvillonte takime të ndara me kryeministrin Sali Berisha dhe kryesocialistin Edi Rama, selinë e Presidencës paraditen e se hënës e kanë vizituar vetëm ambasadorët.
Rreth ores 11.35 minuta në Presidencë kanë mbërritur ambasadori i Spanjës, vend i cili ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian, Manuel Montobbio dhe ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan. Pas ambasadorëve Montobbio dhe Lohan, presidenti Topi ka zhvilluar edhe një takim me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, John Withers.
Edhe pse takimet kanë qenë të mbyllura për median, kriza politike dhe nisja e negociatave mes maxhorancës dhe opozitës në tryezën e presidentit kanë qenë në qendër të takimeve.
Rreth një javë ambasadorët Lohan dhe Montobbio kanë zhvilluar një takim me kryeministrin Berisha dhe ambasadori Withers ka zhvilluar një takim me kreun e PS-së Rama, takime që patën si produkt pranimin nga palët që negociatori të jetë kreu i shtetit, Topi.
Por megjithë takimet dhe presionin e faktorit ndërkombëtar, ende nuk është zhvilluar asnjë takim në selinë e Presidencës dhe zgjidhja e krizës duket e largët, pasi maxhoranca dhe opozita gjatë ditëve të fundit kanë ashpërsuar edhe tonet për kushtet mbi të cilat do të negociojnë .