E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenxheres kapakun: secilit hakun!

AGRON TUFA

1. Shkrimtari, shoqëria dhe pastrimi i ndërgjegjes
Historia më e afërt ka njohur raste tronditëse kur shkrimtarët nuk kanë mundur dot të bashkëjetojnë me ndërgjegjen e rënduar nga fshehja e mëkateve, dobësive dhe ngjarjeve të errëta që u kanë rënë për pjesë, e aq më tepër ti marrin në varr të fshehtat e tyre. Zhanri memuaristik apo rrëfimorja autobiografike e tyre shpesh ka tronditur opinionin, është bërë shkas për shtrimin e një diskursi dhe analize të gjithanshme të raporteve të individit me ndërgjegjen e tij dhe shoqërinë, si pasqyra më e pastër e cilësisë së lirisë individuale dhe shoqërore. Kështu kanë vepruar shkrimtarë të njohur, pa e çarë fort kokën për reputacionin e tyre në publik, duke iu nënshtruar gjykimit qytetar në bashkëpjesëtimin e brengave të tyre që i kanë mbajtur të fshehura, ndonjëherë, deri në pleqëri. Kështu ka ngjarë me shkrimtaren gjermano-lindore Christa Wolf, polakun Ryszard Kapuciñski apo me nobelistin Günter Grass. Nuk është çudi e madhe kur mësojmë tash se mbi 260 letrarë kanë qenë të rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit për të mbuluar survejimin e institucioneve kryesore të kulturës në Shqipërinë staliniste! Ata ish-shërbëtorë të diktaturës i kemi midis nesh, pa dyshim. Ata kanë ndjeshmëri të mprehtë sa herë shtrohen tema të tilla dhe, meqë punojnë në gazeta të mirëpaguara, përpiqen ta çaktivizojnë çështjen ende pa u shtruar për diskutim. Një gazetare e koniunkturës kulturore më shkruante me cinizëm një ditë: Pse nuk po i kapni dot spiunët e Sigurimit, ende në moshë të mbajtur? Kush ju pengon?. Vështirë shumë ti kapësh, më erdh ti thosha, sepse ata tashmë kanë përshtatur format dhe na janë fshehur ndën jatakun e çupkave të reja në redaksira. Në ndonjë rast, e vetmja vlerë që ka kjo punë, është legjitimiteti i martesave brenda gjinisë. Nuk ia thashë, sepse, siç thotë Migjeni, ajo vetë ishte historia e njenës nga ato.
Por mua më pëlqen ta ilustroj kurajën e shkrimtarit që denoncon të keqen dhe forcën e saj shtypëse në jetën private, me një rast më unikal, e prandaj, më diskursiv, sidomos në përqasje me ndërgjegjen e krimbur shqiptare të intelektualit, shpesh bashkëfajtor me krimin nën diktaturë. Fjala është për rastin e shkrimtarit hungarez Peter Esterhazi. Në vitin 2000, shkrimtari hungarez botoi librin Harmonia caelestis (Harmonia qiellore) – një vepër model të estetikës postmoderniste, në qendër të së cilës është babai i shkrimtarit – pinjoll i dinastisë së vjetër mbretërore, të përndjekur gjatë regjimit komunist, të internuar, të survejuar, por që nuk u dorëzua. Ky roman u përkthye në pjesën dërrmuese të gjuhëve dhe falë tij, Peter Esterhazi ka qenë i përhershëm në listën e kandidatëve të çmimit Nobel. Por ende pa mbaruar frazat e fundit të këtij romani himn për atin, siç do ta quajë vetë librin e tij Esterhazi, ai mësoi se nga viti 1957 i ati kishte shërbyer si spiun i Sigurimit të shtetit komunist. Ai nisi të kërkojë në arkivat e fshehta të sigurimit hungarez, të lexojë dosjet e të atit dhe të mbajë shënime. Dhe libri Botim i përmirësuar (një vepër po aq e mrekullueshme sa Harmonia qiellore) – është një kopje prej spiunimeve agjenturore të babait të tij, bashkë me komentarët e llojit historik dhe biografik, por, para së gjithash, është një llogari, një dhënie hesapi, se çfarë ka ngjarë me vetë shkrimtarin, ndërgjegjen e tij, kujtesën, trupin në procesin e leximit: E vëzhgoja veten mu si një kavie eksperimentale: si do ta përballoja këtë situatë, çfarë do të bëja, duke u ndeshur me këtë apo atë gjë dhe çfarë do të bëjë kjo e ajo gjë me mua?. Esterhazi me tmerr, neveri dhe zemër të mpirë ndjek bëmat e panjohura të atij ati mitik, të cilit sapo i ka kushtuar poezinë më ideale me romanin Harmonia qiellore. Romani autobiografik Botim i përmirësuar, është një lamtumirosje e shtangur nga makthi e neveria me fantazmën iluzore të babait që shkërmoqet në pluhur. Kritikët hungarezë e kanë quajtur këtë libër, praktikisht të gjithë në një mendje, një akt heroik dhe një ngjarje të rëndësishme shoqërore: Vetëm në Hungari librin e kanë lexuar qindra mijëra… Nga kjo histori është e pamundur të çlirohesh… Në rastin konkret, i rëndësishëm nuk jam unë, as autori, as babai i tij, por të gjithë ne. Ky është libri për ne. Duke u përpjekur të sqaroj me çdo kusht veten time private, shkrimtari, në dukje krejt shkarazi, bashkon kombin, – thotë Peter Esterhazi.
2. Peter Esterhazi, Fatos Kongoli dhe ndërgjegjja e shkrimtarit shqiptar
Po ne, d.m.th., lexuesit e Shqipërisë postkomuniste, si duhet ta lexojmë (nëse, herëdokur, do ti përkthejnë romanet e Esterhazit)? Ndaj çdo teksti që ndërhyn në sferën e etikës, ne jemi mësuar të përgjigjemi me moralizime – duke sharë ose heronjtë e librit, ose autorin, ose ndonjë tjetër, qoftë edhe vetveten. Këtu për një moralizëm të tillë janë të gjitha mundësitë – ne mund të shajmë mënyrën se si ka vepruar regjimi komunist me njerëzit; ose, në akord me disa lexues, të shajmë Esterhazin, që gjoja tradhëton të atin për hir të suksesit letrar; ose të qortojmë shoqërinë tonë për shkak se ajo nuk merret me kapërcimin e të shkuarës. Por pikërisht në librin e Esterhazit mund të kuptosh se sqarimi i raporteve me të shkuarën dhe me vetveten kërkon si nga autori, si nga lexuesi, jo aktivizimin e reflekseve moralizuese, jo dënimin, por diç krejt tjetër – durimin dhe artin në rrëfim dhe dëgjim, qëndresë dhe forcë karakteri para çdo lloj faktesh, ndershmëri dhe sërish durim. Shkrimtarët shqiptarë, intelektualët, që si profesion kanë të nxjerrin bukën e gojës nga njëra koniunkturë e shtypit në tjetrën, kurrë nuk e kanë parë letrën si një mundësi të rrëfimit autobiografik, si dëshmi të pasqyrës së ndërgjegjes për të shpëtuar veten dhe të afërmit e ngushtë të tyre, që jetojnë me skrupujt të fshehur në bodrumet e vetëdijes. Vjen një kohë që bagazhi i këtyre baballarëve u mbetet trashëgimi bijve. Një trashëgimi memece, e cila merr trajta të përbindshme, duke punuar natën e duke u shfaqur ditën në gjestet, në ligjërimin e dyzuar, ambivalent të natyrës dhe personalitetit; të ndarjes së të vërtetave në një palë – të pashqiptuara – dhe një palë tjetër – të shqiptuara sipas modeleve të hipokrizisë, e cila gjen vend në shtyp, libra, foltore, gjithsej – propagandë demagogjike në emër të idealeve të mëdha – lirisë, demokracisë, emancipimit, qytetarisë – të gjitha, nocione të vagullta, abstrakte, që ata kurrë si kanë pasur aspak për gjak. …Gjithë ajo përpjekje e mundimshme për të vizatuar korniza gjoja intelektuale, fatkeqësisht me kufomat e tyre të trishta brenda tyre. Unë nuk di të jetë ndarë kush qartazi dhe pa ekuivok në Shqipëri me këtë trashëgimi, si Peter Esterhazi, përveç të vetmit rast proverbial që njohim tek ne: shkrimtarit Bashkim Shehu. I vetmi!
Nisur nga rasti Kongoli, asgjë të ngjashme nuk kemi me përmasat e historive, as si të shkrimtarëve të lindjes ish-komuniste, as si të Esterhazit, as si të pinjollëve tanë të ish-bllokut. Por një ngjashmëri e rëndësishme ekziston midis Kongolit dhe Esterhazit: vullneti dhe kuraja për të denoncuar ndërgjegjen e ngarkuar vetjake dhe për të kërkuar ndjesë publike. Rasti i Kongolit është një situatë e veçuar, minore, aksidentale, ndonëse e mjaftueshme për ti kallur në gjak shkrimtarit helmin e trishtë të gjërave, sa për ta mprehur dhe majisur ndërgjegjen e përndezur të tij drejt refleksionit, deri në ekzorcizëm të plotë. Thelbi i historisë së tij ska të bëjë as me ndonjë shpifje a ekzagjerim, as me ndonjë zell për tu treguar në sy të organeve më qen se qeni, sikundërse as me pozën e heroit që i bie mohit gjithçkaje të biseduar. Ndokujt, sigurisht, mund ti kandej fort të shihte tek shkrimtari pozën e heroit të papërkulshëm, që vetë bëhet ther

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›