Zgjimi i nacionalizmit hungarez

József Nyírö u lind më 1889, në Szeklerland, në Transilvani (hungarisht, Erdelj). Qyteti sot i përket Rumanisë, por në kohën e lindjes së tij ishte pjesë e Hungarisë. Nyírö nuk ishte vetëm shkrimtar që angazhohej për ideologjinë “e gjakut dhe dheut”, por edhe një prej ideologëve kryesor kulturor të periudhës së sundimit të partisë fashiste hungareze ‘Kryqet Shigjetarë’, mes tetorit 1944 dhe marsit 1945, kur u vranë disa dhjetëra mijëra çifutë hungarezë. Si simbol të saj, partia shfrytëzonte një modifikim të kryqit të thyer nazist.
Në Parlamentin e Hungarisë, ku dominonin Kryqet Shigjetarë, deputet i Transilvanisë ishte Nyírö, i cili i mbeti besnik deri në fund regjimit të Ferenc Szálasi. Pas vitit 1945, ai kërkohej nga Hungaria dhe Rumania si kriminel lufte. Por arriti të ikte, fillimisht në Gjermani, e pastaj, më 1950, në Spanjën e Franco’s, ku edhe vdiq. Atje u kremua dhe u varros.
Por, kohërat ndryshuan ndërkohë, kështu që sot në Hungari po fryjnë erëra të reja. kriminelët e dikurshëm të luftës sot janë shndërruar në qytetar të respektuar. Kështu, vjershat e Nyírö’s tani janë pjesë e liktyrës së obligueshme shkollore, ndërsa nacionalistët hungarezë po planifikojnë që urnën me hirin e tij ta varrosin solemnisht në vendin e tij të lindjes. Por, këto plane po kundërshtohen nga kryeministri i Rumanisë, Victor Ponta, i cili deklaroi se dëshiron të parandalojë që varri i Nyírö të bëhet vend pelegrinazhi i ekstremistëve të djathtë hungarezë dhe evropianë.
Kështu, në vend të ceremonisë s rivarrimit, në qytetin e lindjes së poetit fashist është mbajtur një meshë, në të cilën morën pjesë sekretari shtetëror hungarez i kulturës, Géza Scöcs, dhe kryeparlamentari i Budapestit, László Kövér. Derisa po iu drejtohej të pranishmëve, ky i fundit tha se “rivarrimi do të ndodhë, gjithsesi”, nëse është e nevojshme edhe kundër pëlqimit të “qeverisë së pacivilizuar, histerike, paranojake dhe barbare” të Rumanisë. “Fitore do të shënojë populli që ka një bir, nga hiri i të cilit frikësohen ata”, theksoi kryeparlamentari hungarez.
Në ndërkohë, Szöcs deklaroi se, përkundër ndalesës së qeverisë rumune, urna me hirin e Nyírö është kontrabanduar në Rumani, megjithëse ky veprim “nuk përbën asgjë ilegale”. Edhe pse, pohoi se as ai vetë nuk e di se ku ndodhet urna aktualisht.
Ndryshe, plani për një vendosje të re të hirit të József Nyírös është pjesë e një renesance nacionaliste, që viteve të fundit ka kapluar Hungarinë. Fillimisht, nismëtarë të aj ishin ekstremistët e djathtë, por një politikë e tillë në ndërkohë u përqafua edhe nga partia konservatore Fidesz, e kryeministrit Viktor Orbán. Natyrisht, një vëmendje e posaçme po iu kushtohet vendeve fqinje, ku jeton një pakicë e konsiderueshme hungareze, pra, Sllovakisë, Rumanisë dhe Serbisë.
Si rrjedhojë, Orbán dhe partia e tij filluan të realizojnë një politikë revizioniste, që për temë kryesore ka unifikimin e të gjithë hungarezëve, qoftë në kuptimin gjuhësor dhe kulturor, qoftë edhe në atë territorial.
paralelisht me këtë revizionizëm, kohëve të fundit në Hungari po flitet pozitivisht edhe për regjimin e Miklós Horthy, i cili udhëhoqi vendin mes viteve 1920 dhe 1944. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Horthy kishte krijuar një regjim autoritar, ultrakonservator dhe klerikal, dhe ishte aleat i Hitlerit. Horthy ishte një antisemitist i bindur, dhe bashkëpërgjegjës për deportimin e mbi 400,000 çifutëve hungarezë drejt kampit në Auschwitz, në pranverë të viti 1944.
Megjithatë, suksesi i politikës nacionaliste dhe revizioniste të Orban mbetet diskutabil. Hungaria sot është izoluar nga Evropa, dhe konsiderohet si një faktor jostabiliteti në rajon. Njëkohësisht, gradualisht po vërehet një rënie e ndikimit të pakicës hungareze në shtet e saj fqinje. Në Sllovaki, në Rumani dhe në Serbi, pakicat e atjeshme janë ndarë ndërmjet veti,- në ata që e përkrahin politikën e Orban, dhe në ata që angazhohen për një politikë autoktone. Kjo gjë pastaj ndikon në uljen e suksesit të tyre në zgjedhjet e atjeshme parlamentare dhe lokale, rrjedhimisht, edhe të ndikimit të këtyre pakicave në politikat e vendeve që iu takojnë.
Por, ndoshta ky edhe ishte kalkulimi cinik i Orban dhe i partisë së tij. Ka mundësi që ata e dëshirojnë një pozitë të keqe të pakicave hungareze në vendet fqinje, në mënyrë që bashkatdhetarët e frustruar t’i tërheqin në Hungari. Në këtë mënyrë, Orban, nga njëra anë do të siguronte votues besnikë, e nga tjetra vendi do të zgjidhte problemin aktual demografik – pa pasur nevojë që në Hungari të sillen pjesëtarë të nacionaliteteve të tjera.
DW