E Diel, 1 Nëntor 2026

Zguro: 1151 ankesa në KPP gjatë 2024-ës, 536 milionë lekë kursime

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Nënkryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Fiorent Zguro, paraqiti sot raportin vjetor për vitin 2024 në Kuvend.

Sipas Zguros, gjatë këtij viti, Komisioni regjistroi 1151 ankesa, kryesisht për procedurat e prokurimit publik, 437 ankesa lidhur me dokumentet e tenderave dhe 714 për fazën e vlerësimit të ofertave.

Komisioni shqyrtoi 1135 ankesa, duke kërkuar modifikime për 327 prej tyre dhe duke përshpejtuar kohën e shqyrtimit të ankesave, që tani është 12 ditë.

“Një tjetër rezultat i rëndësishëm ishte kursimi i 536 milionë lekëve për buxhetin e shtetit dhe një rënie e ankesave të shqyrtuara jashtë afatit ligjor në 9,26%, nga 10,1% që ishte në vitin 2022”, deklaroi Zguro.

Komisioni, sipas tij, miratoi dy manuale ligjore për operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore dhe ka bërë të mundur publikimin e të dhënave sipas standardeve ndërkombëtare, duke rritur transparencën.

Zguro vuri në dukje se reforma e Komisionit është vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Evropian dhe SIGMA, duke marrë 91 pikë nga 100 në raportin për administratën publike në Shqipëri.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›