Zhaku: Jemi dele që blegërijnë

Inida Gjata, e njohur si Zhaku, është rikthyer me një opionin, lidhur me vendimin e gjykatës për rastin e 21 janarit 2011, që po e publikojmë më poshtë: "Sikur të mos mjaftonin të gjitha padrejtësitë, rastet e dukshme e të qarta të korrupsionit, pamundësitë dhe vështirësitë që ndesh prej kohësh shoqëria shqiptare, kemi dhe zgjedhjet në 23 qershor. Një kalendar i mbushur me shpifje na pret. Me sharje, premtime, protesta, baltë, fyerje, padrejtësi mbas padrejtësish, deri sa ta kapërcejmë edhe këtë hall që na ka mbetur e të gdhihemi në datë 24 qershor ashtu siç as ne vetë nuk e dimë se si! Pse ne nuk e dimë se si do të jetë e ardhmja jonë?! Pse ne nuk dimë asgjë mbi atë çfarë thuret e ndërthuret mbi kurrizin dhe mundin tonë?! Ne nuk dimë, sepse jemi veçse disa numra që vlejmë secili sa një votë ose disa dele që blegërijnë si papagaj fjalët e barinjve që i prijnë. Ose disa majmunë që imitojnë njëri- tjetrin në thurje intrigash dhe kurthesh. Ose jemi ca çakej që u hakërrehemi të ndryshmëve me aq urrejtje dhe uri sa gati dhe i hamë të gjallë. Ose jemi krejt indiferentë, porsi disa zombi që enden kuturu, nën efektin e hipnozës së tyre kolektive. Por, ka prej nesh që janë të lirë e paqësorë si zogj. Ndonjëherë, jemi edhe gjithçka në një. Ndonjëherë edhe një asgjë. Ndonjëherë jemi gjithkush, dimë gjithçka dhe gjykojmë këdo. E sidomos këtu dua të ndalem pak. Ditët e fundit u mor një vendim nga drejtësia shqiptare, ku u shpallën të pafajshëm dy gardistët e akuzuar nga Prokuroria si vrasësit e 4 protestuesve të 21 janarit ´11. Me argumentin se ishin në krye të detyrës. Në një vend demokratik, me ligje të presupozuara në përputhje të plotë me të drejtat e njeriut, idealja është që të gëzohemi që drejtësia nuk groposi në burg dy viktima të detyrës që ishin po aq viktima sa 4 viktimat e detyrës së tyre, që mbetën të vdekur në vend nga plumba po aq qorr dhe po aq shurdhë sa bëmat, shkatërrimet, djegiet dhe tërbimi i protestuesve kundër uniformave, kundër pronës publike dhe kundër paqes mbi të gjitha. Duhet të gëzoheshim që më në fund drejtësia na tha të drejtën. Fajtorët nuk janë ata të dy. Ata të dy janë viktima si ata katër të tjerët që mbetën të vdekur. Duhet ta kishim falenderuar drejtësinë që në këtë rast u tregua e drejtë dhe nuk e mbylli me kaq këtë çështje, e cila mesa duket qartë, shkurt dhe prerë, ka fajtorë të tjerë. Drejtësia nuk na tha ky rast nuk ka fajtorë. Drejtësia na tha këta nuk janë fajtorët. Faleminderit drejtësi që vure drejtësi. Tani na përket ne, të gjithëve ne, të kërkojmë fajtorët e vërtetë të kësaj ngjarjeje të rëndë që na ka prekur e lënduar shumë të gjithëve. Shumë prej nesh janë revoltuar, pse nuk u dënuan ata të dy, gardistët, si fajtorët e vërtetë! A jeni në terezi?! Gardistët kriminelë në një sistem të padrejtë?! Gardistët në këtë sistem janë veçse disa kamikazë, por siç janë kamikazë ata që u ndodhën në atë protestë atë ditë bashkë me 4 të vrarët. Kamikazë, ashtu siç jemi të gjithë ne që e shtyjmë jetën me: “Hajt se dhe ‘i dit’ … hajt se dhe ‘i nat´..” Kamikazë, se vetëm kamikazët rrojnë me rrezikun kudo, ashtu siç rrojmë ne të mbrojtur nga parimi “nuk bie rrufeja në hale”. Kamikazët janë të vetmit ata që ua falin gjithçka udhëheqësve të tyre, madje edhe jetët falin për ta. Por, kamikazi njëkohësisht është edhe një shpirt i drejtë e i mirë që beson vërtetë tek ajo që bën. Të gjithë, tani prisni thirrje për protesta, për revolta, për kryengritje. Por unë mendoj se pikërisht në këtë çast, në këtë moment ky vend dhe ky popull ka shumë nevojë të jetë i ftohtë, racional dhe shumë i qetë. Ta zgjidhë në paqe problemin e vet dhe ta kërkojë në paqe drejtësinë. Koha e shkatërrimit mbaroi, tani të reflektojmë dhe të mos bëhemi më pre e asnjë propagande politike, por të votojmë, nëse duam të votojmë, për atë që besojmë dhe jo për të keqen më të vogël se kjo është filozofia më qesharake që kam dëgjuar ndonjëherë. Ka ardhur koha të votojmë për projekte konkrete ku shprehet qartë e prerë se si dhe kur do të realizohet çdo premtim i rëndësishëm për popullin. Nëse nuk do të na bindin me projekte por do të vazhdojnë të na dërdëllisin përditë e më shpesh vrer kundër njëri- tjetrit, atëherë jo vetëm të mos i votojmë, por madje, ditën e votimit të shkruajmë gjithsecili nga një letër siç na e do kokrra e qejfit e në vend të votave, t’u fusim ato letrat nëpër kuti. Besomëni, thikat më të mprehta janë letrat! " /Indeksonline/