Zhbllokohet industria e ndërtimit - Basha premton prishjen e skemës së klientelizmit
Lulzim Basha takohet me përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve dhe premton shkatërrimin e sistemit të trajtimit klientelist të biznesmenëve, duke garantuar sistemin prej 30 ditësh të akordimit të lejeve të ndërtimit si dhe thithjen e më shumë se 1 miliard euro investimeve, vetëm në kryeqytet
Kandidati për kryetar të Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, parashikon në planin e tij 1 miliardë euro investime në infrastrukturë në 4 vite. Në një takim me Shoqatën e Ndërtuesve, Basha ka garantuar se do t’i jepet fund trajtimit klientelist nga Bashkia dhe të gjithë do të gjejnë hapësirat që meritojnë. Krahas përfundimit të planit urbanistik në një vit, Basha premtoi reduktim të kohës së dhënies së lejeve të ndërtimit në 30 ditë dhe heqje të burokracive. “Jo më vonë se maji i vitit 2012 plani urbanistik do të jetë i zbatueshëm. Që nga ky moment jo më shumë se 30 ditë, me mbi 80 për qind të procedurës, me kontakt minimal me autoritetin Bashkiak, me proçedurë automatike, ju do të jeni në gjendje të aplikoni dhe të merrni lejet e ndërtimit dhe t’i vini ato në zbatim. Ofroj një trajtim jo-klientelist, të hapur ku secili prej jush do të gjejë hapësirën që meriton dhe kërkon. Ne do të nisim në një kohë fare të shkurtër një operacion gjigand për sa i përket infrastrukturës në Tiranë. Kronologjia e kësaj axhende fillon me tenderimin brenda këtij viti të një pjese të Unazës së Madhe, e cila fillon nga Ura e Brarit deri tek Ura e Kamzës, me një vlerë fillestare të përllogaritur prej 270 milionë euro. Si dhe tenderimin brenda këtij viti të projektit të kanalizimeve të Tiranës, me një vlerë 100 milionë euro, nga të cilat, më shumë se gjysma janë siguruar. Brenda qershorit 2012, nisjen e punimeve për linjën Kinostudio-Kombinat të tramvajit, dhe brenda dhjetorit 2012 nisja e linjës tjetër Bregu Lumit-Selitë po me një vlerë të përllogaritur prej 100 milionë eurosh. Kemi 170 milion euro të rezervuara për nënkalime, parkime nëntokësore, akse të reja, dhe ndërhyrje të tjera brenda qytetit. Kemi 170 milionë euro për një park të ri, të madh të Tiranës, rrjetin e rrugëve të brendshme të qytetit, sistemimin e lagjeve me infrastrukturë sekondare dhe 230 milionë euro për objekte të tjera të infrastrukturës sociale, kulturore dhe arsimore, pra kemi në total të planifikuar sipas këtij projekti, investime mbi 1 miliardë euro në katër vitet e ardhshme”, u shpreh Basha para ndërtuesve. Kandidati për kryebashkiak siguroi se kriteri i vetëm i përzgjedhjes së kompanive që do të kryejnë këto punime do të jetë cilësia dhe afati i përfundimit të punimeve. “Ajo që më ka interesuar gjithmonë është cilësia e punimit dhe afatet e punimit. Ju mateni me cilësinë dhe afatet e ndërtimit të veprave, unë matem me cilësinë dhe afatin e premtimeve të mia, sepse 4 vjet edhe në konstruksion edhe në politikë ecin shumë shpejt”, tha Basha. Kandidati demokrat ritheksoi angazhimin e tij për hipotekimin e apartamenteve brenda 6 muajsh, vlerësim real të pronës dhe krijimin e hapësirave publike. Në fund të takimit, bizneset ndërtuese të Tiranës i paraqiten kandidatit për bashkinë e kryeqytetit shqetësimet e tyre, të tilla si fati i punimeve ekzistuese (ku morën garancinë e plotë të mos ndryshimit të destinacionit për to), qarkullimi i betoniereve në kryeqytet, ç’do të bëhet me lejet e porsa- marra të ndërtimit, termat e referencës për Planin Urbanistik, etj. Basha i siguroi ndërtuesit se çdo shqetësim i tyre do të trajtohet me përparësi nga administrata e tij. “Unë ju shoh si partnerë, jo klientë apo armiq. Armiku ynë i vetëm është mungesa e planifikimit”, përfundoi Lulzim Basha, kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës.
Prezantohet për njësinë bashkiake nr. 7 kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Krenar Alimehmeti Vitin e parë të mandatit, në Tiranë do të hapen 10 mijë vende të reja pune
Brenda vitit të parë të mandatit të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha parashikon hapjen e rreth 10 mijë vendeve të reja të punës. Përveç politikave fiskale, edhe ndërtimi i infrastrukturës siç është Unaza e Madhe, do të jenë gjeneratorë të rëndësishëm punësimi, tha Basha, ndërsa prezantoi kandidatin për kryetar të Njësisë Bashkiake Nr. 7, Krenar Alimehmeti. Në takimin me banorët e kësaj Njësie, kandidati për kryetar të Bashkisë, Lulzim Basha, bëri me dije se do të shqyrtohet ndërtimi në këtë zonë i një prej qendrave më të mëdha të panaireve, e cila do të ndikojë ndjeshëm edhe në shtimin e vendeve të punës. “Le të bashkohemi së bashku, le të fillojmë nga puna aty ku dhembja është më e madhe dhe nevoja më e prekshme, prandaj do ta fillojmë me punësimin. Unë kam një plan konkret dhe serioz. Parashikohet që stimujt fiskalë, vetëm brenda 6 muajve të parë, do të përkthehen fonde të mjaftueshme për punëdhënësit në këtë qytet për të hapur 4000 vende të reja pune. Në tremujorin tim të parë si kryebashkiak i ardhshëm unë do të firmos fondin e zhvillimit të biznesit, i cili me një kapital prej 2 milion eurosh, por me një impakt kreditues 20 milion euro, do të bëjë të mundur brenda 12 muajve të parë, hapjen e 6000 vendeve të tjera të punës. Unaza e Madhe e Tiranës nuk do të jetë vetëm çlirimi i makthit të përditshëm të trafikut, nuk do të jetë vetëm pastrimi i ajrit të ndotur 4-5 herë më shumë se norma e lejuar. Do të jetë po ashtu edhe fronti i mbi 5000 vendeve të reja të punës. Ne do të shikojmë mundësinë e krijimit të një prej qendrave më të mëdha, më moderne të panaireve dhe konventave në zonën tuaj, si një nga gjeneratorët më të fuqishëm të punësimit për Tiranën dhe gjithë Shqipërinë”, u shpreh Basha para qytetarëve të Njësisë Bashkiake Nr. 7. Kandidati demokrat bëri të ditur gjithashtu se për të mbrojtur konsumatorët do të ngrihet një agjenci e veçantë pranë Bashkisë së Tiranës, sikundër ai u angazhua se do të ulë taksat për të normalizuar çmimet. Po kështu, Basha ritheksoi se në prioritetet e tij është edhe vlerësimi real i pronës. Krahas ndërtimit të shkollave, kopshteve e çerdheve të reja, Basha siguroi banorët edhe për krijimin e hapësirave për argëtimin e fëmijëve.
Basha takon dhe bisedon me taksistët “Vende të reja parkimi dhe ulje taksash për taksitë”
Të jesh taksist në Tiranë është një punë vërtetë e lodhshme. Vështirësitë shtohen për shkak se Bashkia nuk ofron asnjë lehtësi, ndërkohë që ajo vjel taksat. Lulzim Basha ka takuar dje një përfaqësi të taksistëve në Tiranë, dhe u ka shpjeguar planin që ai ka për shërbimin që ata ofrojnë në qytet. Kandidati për kryebashkiak u premtoi taksistëve shtim të vendeve të dedikuara për taksitë si dhe mos-lejim të zënies së këtyre vendeve nga makina të tjera. Gjithashtu, Basha u premtoi taksistëve lehtësi fiskale, pra ulje të taksave që ata i paguajnë Bashkisë. Në vëmendjen e kandidatit për kryebashkiak është edhe fakti se shërbimin e taksisë ushtrojnë në qytet edhe persona të pa licencuar, çka dëmton konkurrencën dhe tregun.
...