Demaskimi i negociatave Prishtinë-Beograd
Tashmë kur procesi negociator ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka bërë një rrugëtim të dukshëm, edhe më fanatikët politiko-partiakë e kanë të qartë se Kosova do jetë humbësja, kurse Serbia do të jetë fituesja në këto negociata. Është kështu, sepse zonjusha Editë, apo kryenegociatorja Tahiri, pas raundit të fundit, u kthye me kokën poshtë, pasi që u detyrua të pranonte humbjen e parë: pranimin e faktit se nga Serbia mund të marrë vetëm fotokopjet e dokumentacionit civil, por jo edhe origjinalet. Është e tepërt të thuhet se humbje të tilla do të ketë në vazhdim, pasi që këto negociata nuk janë projektuar që ta detyrojnë Serbinë që ta njohë në tavolinë pavarësinë e Kosovës, por që asaj t’i mundësohet përmirësimi i imazhit diplomatik, forcimi i pozitave në arenën ndërkombëtare dhe krejt në fund, realizimi i interesave të saj në Kosovë. Dhe si rezultat i drejtpërdrejt do të jetë edhe fitimi i statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Vetëm ky fakt do të ishte i mjaftueshëm, për të kuptuar se pozitat e Serbisë në arenën ndërkombëtare janë shumë më të forta se të Kosovës, por parë në kontekst nacional, edhe pozitat e serbëve janë shumë më të forta se të shqiptarëve në përgjithësi. Dhe kur e them këtë kam parasysh shqiptarët si në Kosovë, ashtu edhe në shtetin aktual shqiptar, sepse sjellja politike e së majtës shqiptare, pasardhëse e së majtës marksist-leniniste, si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë është e tillë që e ka komprometuar keqas pozitën e shqiptarëve në rajon dhe më gjerë. S’do mend se kur e them këtë kam parasysh opozitën e majtë në Tiranë dhe pozitën, po të majtë në Prishtinë, të cilat me veprimet e tyre qoftë si opozitë, qoftë si pozitë kanë dëshmuar se përballë axhendave personale, axhendat kombëtare nuk kanë kurrfarë rëndësie, qofshin ato edhe që kanë të bëjnë me procese integrative. Dhe kur e kam fjalën për procese integrative, nuk mendoj thjesht në të bërit anëtar në ndonjë organizatë, bashkim, apo edhe në ndonjë asociacion tjetër, por te rikthimi i shqiptarëve në identitet politik evroperëndimor. Është e qartë tashmë se shteti aktual shqiptar për të marrë statusin e vendit kandidat është penguar dhe pengohet shumë nga veprimet destruktive të opozitës së majtë, kurse Kosova, këtë proces mund ta shohë vetëm me teleskop. Në anën tjetër, Serbia që i udhëhoqi vetë apo që i mbështeti me të gjitha mjetet masakrat ndaj tre kombeve: shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, dhe që kurrë nuk pranoi të diskutonte për përgjegjësinë e saj për të gjitha këto, sot është në pozitë më të mirë për të qenë më afër Evropës, sesa shqiptarët. Ajo duhet të tregojë aftësi negocimi me Prishtinën, e cila nga ana e saj paraqitet me një imazh shumë të keq të kryeministrit të saj dhe të qeverisë që e drejton ai, me një palë zgjedhje më keq se në ndonjë vend të botës së tretë, me një skandal presidencial, e për më tepër me paaftësi menaxhimi të këtij procesi negociator. Përballë kësaj situate, Beogradi e ka shumë të lehtë të tregojë aftësi negocimi, por edhe të tregojë karizma diplomatike, të tilla çfarë po tregon kryenegociatori serb, i cili jo rrallë po e vë në pozita qesharake palën e Prishtinës. Në anën tjetër, në Tiranë kemi një opozitë shumë destruktive, e cila me veprimet e saj ka dëshmuar një vendosmëri të jashtëzakonshme, jo vetëm që të pengojë shtetin aktual shqiptar që ta fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, por edhe të bëjë gjithçka që të kthejë mbrapshtë edhe të mbërrimet e gjertanishme, siç është edhe liberalizimi i vizave. Nëse Beogradi e ka kusht dëshmimin e aftësisë negociuese me Prishtinën, Tirana duhet të plotësojë kushtin e stabilitetit politik, dialogut politik dhe një porces zgjedhor të pakontestueshëm. Plotësimi i këtij kushti nga ana e Tiranës, derisa ka një opozitë të këtillë, mund të jetë shqetësueshmërisht në rrezik. Idetë se Beogradi dhe Tirana mund ta marrin statusin e vendit kandidat njëkohësisht, edhe pse nuk mund të mohohet përfundimisht, ka rrezik që të mos realizohet, nëse opozita në Tiranë do ketë të njëjtat sjellje si deri më tash.
Sjellja politike, institucionale e diplomatike e shqiptarëve të Kosovës, por edhe e opozitës në Tiranë, po ashtu, ka dëshmuar për paaftësi qeverisjeje, për jokoherencë në pika strategjike kombëtare si dhe ka dëshmuar për një mungesë të qartë të vetëdijes shtetformuese dhe shtetdrejtuese. Gjatë këtyre viteve, pra jo vetëm tash, e majta shqiptare në Prishtinë, ka dëshmuar se është në gjendje të bëjë gjithçka vetëm e vetëm që të jetë në pushtet. Është në gjendje të bëjë kompromise shumë të dëmshme për interesat e Kosovës, vetëm që të vijë dhe të qëndrojë në pushtet. Këto kompromise të rrezikshme që janë bërë nëpër kafene të ndryshme, por edhe nëpër zyra të ndryshme larg syve të opinionit të gjerë, Kosovën e kanë vënë në një pozitë shumë të vështirë, dhe në pamundësi për të qenë protagoniste e proceseve në të, dhe rreth saj. Së këndejmi vjen edhe vështirësia dhe pozita prej tabele pingpongu që Kosova ka në procesin negociator. Kurse Serbia, nga ana e saj, ka dëshmuar një stabilitet politik, një integritet diplomatik dhe një aftësi shumë të madhe të negocimit me faktorin ndërkombëtar. Dhe ky negocim ndërkombëtar i Beogradit, nuk është si kompromiset e së majtës së Prishtinës për hir të pushtetit dhe të shpëtimit nga drejtësia ndërkombëtare, por për pozicionim sa më të mirë në arenën ndërkombëtare, në funksion të realizimit të interesave të saj në Kosovë.
Kur është fjala për interesat serbe në Kosovë, tashmë dihet botërisht se interesat e saj lidhen me veriun e Kosovës, me enklavat e shndërruara në autonomi politiko-institucionale, si dhe me interesa gjeostrategjike, përkatësisht me vijën gjeopolitike e gjeostrategjike Moskë – Deti Adriatik. Tashmë presidenti Tadiq ka shpallë se interesi i Serbisë është ndarja e Kosovës, përkatësisht zgjidhja e çështjes serbe dhe çështjes shqiptare në Kosovë. Me këtë presidenti Tadiq ka dëshmuar se projekti serb i paraqitur nga Dobirca Qosiqi më 1993, për zgjidhjen e çështjes serbe dhe çështjes shqiptare në Kosovë, kurrë nuk është hequr nga tavilona politike, diplomatike dhe ushtarake e Beogradit, dhe se gjithçka që ka bërë Serbia që atëherë, dhe më parë, e deri më sot, ka qenë dhe është në funksion të këtij projekti. Ndarja e Kosovës, që nga Dobrica Qosiq është paraqitur si kompromis politiko-diplomatik dhe si rishikim i Memorandumit të vitit 1937 të Vasa Çubriloviqit, dhe të përpunuar më 1944, po nga ai, në përmasat 40% për serbët, e 60% për shqiptarët, ishte e qartë qysh moti, dhe këtë e kam theksuar kaherë, se ishte qëllimi i gjithçkaje që Serbia ka bërë në Kosovë, përfshi edhe masakrat e tmerrshme të viteve 1998-1999.
Natyrisht se ky qëllim përfundimtar i Beogradit, nuk është se do të mund të realizohet drejtpërdrejt në këtë proces negociator, pasi që ky proces negociator është vetëm një fazë e një procesi më të gjerë dhe më të gjatë që do të shpjerë te realizimi i këtij interesi strategjik të Serbisë. Dhe ky proces ka filluar me masakrat serbe në Kosovë, e që kishte për qëllim shkatërrimin e një veprimtarie institucionale, pra shtetërore të shqiptarëve të Kosovës, shkatërrimin e unitetit veprues të shqiptarëve, shkatërrimin e imazhit të tyre, dhe si fazë, përfundoi me ndarjen e brendshme të Kosovës. Faza tjetër, ishte faza e vazhdimit të komprometimit të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare dhe e forcimit të enklavave, përfshi edhe veriun e Kosovës, kurse faza pasuese, kishte për qëllim zyrtarizimin e tyre edhe me dokumente ndërkombëtare, siç është Pakoja e Ahtisarit, dhe me dokumente të brendshme, siç është Kushtetuta e Kosovës. Faza aktuale, që ka të bëjë me negociatat Prishtinë – Beograd, duhet të bëjë hapa të tjerë konkretë në drejtim të realizimit të interesave serbe në Kosovë: rritjen e kapaciteteve dhe e kompetencave politiko-administrative të serbëve në Kosovë, forcimi i lidhjeve me Beogradin, dhe një asimetri e dukshme, substanciale dhe përfundimisht ndarëse e veriut të Kosovës dhe e serbëve të Kosovës. Po ashtu, në këto negociata pritet që sikurse me dokumentacionin civil, të arrihen humbje të tjera të Kosovës, edhe lidhur me lëvizjen e lirë, me doganat, me energjinë elektrike, me targat e makinave dhe me çështje të tjera “teknike”.
Në këtë kontekst, është shumë e qartë se deklaratat e Hashim Thaçit se në fund të këtij procesi negociator, Kosova dhe Serbia do e njohin njëra-tjetrën, tashmë janë tretur si flluskë sapuni dhe nuk po i përmend as ai vetë. Demaskimi i procesit negociator Prishtinë - Beograd, është e qartë se nuk i ka lënë vend deklaratave të këtilla.