Zhduket brezi i rërës, deti kërcënon bizneset e banesat
11/01/2010 Stuhi në Durrës
DURRES- Gjiri i Durrësit është përfshirë dje nga një stuhi e fortë detare, e cila ka sjellë probleme duke u shoqëruar me panik ndër banorë që kanë apartamentet dhe bizneset buzë deti. Gjatë orëve të mesditës të ditës së shtunë dhe gjatë ditës së diel era e forta ka shënuar deri në 25 m në sekondë, ndërsa në deti deri në 7-8 ballë. Deti ka kapërcyer të gjitha pragjet dhe brezin e rërës duke shfaqur një fenomen të rrallë. Situata është përkeqësuar ngase era ka thyer pemë, shtylla të telefonit, ka rrëzuar tenda dhe ka vënë para mbulesa të kulmeve të apartamenteve përdhese që janë buzë deti. Alarmi është ndier kryesisht në zonën buzë deti dhe konkretisht në Plazh, Plepa, Shkëmbi i Kavajës, Golem, pranë Urës së Dajlanit në Currila dhe në port. Për gati 2 orë të ditës së diel era ka trazuar gjithçka pa u dhënë mundësi banorëve dhe as bizneseve të mbledhin sendet e lëna jashtë apo të grumbullojnë tendat e hapura. Edhe deti ka regjistruar për pak kohë një baticë duke “shkelur” rërën dhe duke u afruar pranë shëtitores bregdetare. Tek Pishat e Buta në Golem, ku janë përqendruar komplekse turistike dhe fshatra turistik, situata është përjetuar me jo pak tronditje pasi deti ka vënë para tendat duke kapërcyer edhe brezin e rërës. Më e çuditshme duket një fenomen i ri që po ndodh në plazhin e Shkëmbit të Kavajës dhe në Golem. Deti me dallgët e tij të fuqishme ka përparuar thellë në tokë duke u afruar shumë pranë lokaleve që gjenden në brezin e parë të rërës. Ky plazh shumë i frekuentuar në sezonin e verës ka gjerësi rërë 100 m-120 m në verë, por që në dimër tkurret. Edhe tek Bërryli e në Currila rëra është “fshehur” e tëra duke i lënë vendin dallgëve. Dy tragete janë akostuar me 4 orë deri në 5 orë vonesë pasi ato i janë afruar Gjirit të Durrësit pikërisht në kohën e baticës.