Krimet e Rënda në 2009-n,184 leje për përgjim telefonash
11/01/2010 Janë 290 persona të dënuar për vitin që lamë pas, 16 prej tyre me burgim të përjetshëm
TIRANË- Gjykata për Krime të Rënda e mbylli vitin 2009 me një numër të madh kërkesash të ndryshme të bëra nga ana e organit të akuzës. Këto ditë pritet që kjo gjykatë të bëjë analizën me statistikat që boton sot gazeta “Metropol”. Kështu, brenda vitit 2009, nga Krimet e Rënda janë dënuar gjithsej 290 persona. Ndërkaq vetëm katër kanë marrë pafajësi. 16 persona kanë marrë dënimin me burgim të përjetshëm brenda 2009-s. 71 të tjerë janë dënuar me nga 25 vjet burg secili. Gjithsej në këtë gjykatë për vitin 2009 janë regjistruar 135 dosje penale. Nga këto vetëm 80 dosje janë përfunduar. Pjesa tjetër mbetet të mbartet për vitin që sapo ka filluar. Por kërkesat e akuzës kanë zënë një vend tjetër pranë kësaj gjykate. Një nga kërkesat, e cila i ka ardhur në ndihmë akuzës për të vërtetuar dhjetëra vepra penale është ajo që ka të bëjë me përgjimet telefonike. Por nuk mbeten pas edhe kërkesat, të cilat kanë të bëjnë me sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme për persona të ndryshëm që janë në fazën e hetimit paraprak dhe për ata që kanë marrë në dorë vendimin e formës së prerë. Gjykata e Krimeve të Rënda u krijua si strukturë për të gjykuar krimin e organizuar dhe ato vepra penale që klasifikohen të rënda në janar të vitit 2004. Që prej atij viti nga kjo gjykata janë dënuar me dhjetëra persona me burgim të përjetshëm, ndërsa dhjetëra të tjerë janë me 25 vjet burg. Ka operuar gjithmonë me organin e akuzës dhe me palën mbrojtëse për të pasur një gjykim të mirë dhe për të ndjekur në mënyrë rigoroze, Kodin e Procedurës Penale. Por sipas të dhënave që dalin nga kjo gjykatë dhe sipas atyre të dhënave që kemi marrë direkt gjatë seancave gjyqësore, problematikat kanë qenë të shumta. Një nga këto probleme që e kanë shoqëruar këtë gjykatë deri në përfundim të vitit dhe po e shoqëron atë dhe në ditët e para të 2010-s, është raporti me palën mbrojtëse dhe zvarritja e proceseve pa kriter. Të dhënat tregojnë se kjo gjykatë ka problemin kryesor shtyrjen e seancave gjyqësore si pasojë e mungesës së palës mbrojtëse. Ky fenomen është bërë i njohur dhe ka hasur diskutim edhe nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Disa herë është vënë në lëvizje edhe Dhoma kombëtare e Avokatisë, por përsëri problemi nuk ka gjetur zgjidhjen e duhur. Disa herë ka pasur probleme edhe me organin e akuzës, por këto kanë qenë më të lehta dhe kanë gjetur zgjidhje të menjëhershme. Një numër i konsiderueshëm dosjesh janë mbartur për këtë vit. Ndërkohë që problem për vitin që përfundoi ka qenë edhe njoftimi i dëshmitarëve në zonat e thella të vendit si dhe shoqërimi i një pjesë të tyre me anë të policisë. Gjykata e Krimeve të Rënda ka aktualisht ndërtesën më të sigurt. Ajo është e lidhur me burgun 313-të me anë të një tuneli të nëndheshëm. Nëpërmjet këtij tuneli bëhet kalimi i personave të pandehur direkt për në sallën e gjyqit. Ndërtimi i këtij tuneli ka bërë që të pandehurit të mos ekspozohen në rrugë dhe në ambiente të tjera të gjykatës, por të njihen në sallën e gjyqit me palët e pranishme. Ka një sistem sigurie të sigurt. Shumë seanca gjyqësore, të cilat bëhen me dyer të mbyllura dhe kanë në përbërje të tyre të mitur lidhen me anë të videokonferencës. Dëshmitarët nuk paraqiten në sallën e gjyqit, por nëpërmjet videos ata flasin nga një tjetër ambient.
Avokatët në qendër të Krimeve të Rënda
Për vitin 2009, ata që kanë qenë më të kritikuar nga trupa gjyqësore e Krimeve të Rënda, janë avokatët. Megjithëse nga ana e avokatëve në shumicën e rasteve janë dhënë arsye për mospjesëmarrjen në gjyq, trupa gjyqësore ka reaguar duke i dërguar shkresa të njëpasnjëshme Dhomës kombëtare të Avokatisë. Nga kjo e fundit është kryer vetëm një takim me gjyqtarët dhe është premtuar se nuk do të ketë më zvarritje. Por edhe pas takimit, zvarritjet dhe shtyrjet e gjyqeve kanë vazhduar çdo ditë. Avokatët shprehen se nuk është vetëm faji i tyre për shtyrjen e gjyqeve, por edhe gjykata ka detyrimet e saj.
Viti 2009
69 dosje të mbartura nga 2008
56 dosje të reja
9 dosje të kthyera
1 e pushuar
135 dosje në total
80 dosje të përfunduara
168 masa arresti
184 kërkesa për lejim përgjimesh
Persona të dënuar në 2009-n
290 persona të dënuar për vitin 2009
4 persona kanë marrë pafajësi
71 të dënuar me nga 25 vjet burg
16 të dënuar me burgim të përjetshëm