Rezultojnë në rritje sëmundjet e veshkave
11/01/2010 Vëzhgimet e kryera kanë treguar se 1 në 10 shqiptarë ka probleme
Shkak mbetet neglizhenca në trajtimin e hershëm të këtyre sëmundjeve
Pacientët shqiptarë kujtohen të shkojnë te mjeku vetëm kur sëmundja ka arritur në fazat e saj më të rënduara, raste në të cilat edhe trajtimi bëhet më i vështirë. Në vëzhgimet më të fundit të raportuara nga institucionet shëndetësore rezulton se një në dhjetë shqiptarë vuan nga sëmundjet e veshkave, duke përfshirë këtu në masë edhe moshat e reja. Ndërkohë rreth 80 për qind e pacientëve shkojnë te mjeku vetëm në fazën e rënduar të sëmundjes. Ndër problemet me të shpeshta rezultojnë të jenë gurët në veshka, komplikacion i cili po haset në masë edhe te grup-moshat e reja. Vetëm në kryeqytet pohohet se brenda një vitit evidentohen rreth 700 pacientë të rinj, që manifestojnë shqetësime të rënduara të gurëve në veshka. Mjekët renditin si shkaqe kryesore të këtyre problemeve faktorë të ndryshëm, si predispozicioni gjenetik, por edhe mbajtja e një diete të çrregullt ushqimore. Për të shmangur situatën e rëndimit të gjendjes shëndetësore të personave që vuajnë nga gurët në veshka, mjekët rekomandojnë veçanërisht mbajtjen e një diete të rregullt ushqimore, e cila duhet të jetë e pasur me lëngje të shumta si dhe duke konsumuar sa më pak të jetë e mundur ushqime që kanë përmbajtje të lartë kalciumi apo proteina shtazore.
Vëzhgimet kanë treguar se në masë janë përhapur edhe sëmundjet e kancerit të prostatës, të cilat po shtohen dita-ditës për shkak të neglizhencës së treguar në kurimin e hershëm të simptomave. Për këto të fundit pohohet se çdo vit evidentohen më shumë se 900 persona që manifestojnë komplikacione shëndetësore të rënduara, ku dhe trajtimi jo gjithmonë jep rezultat.
Trajtimi
Për të shmangur këto probleme me sëmundjet e veshkave është e nevojshme bërja e vizitave dhe analizave që në moshat e reja, veçanërisht për gurët në veshka. Është e domosdoshme që të rinjtë pas moshës 20 vjeç duhet të bëjnë detyrimisht analizat për nivelin e albuminës (për të kapur në kohë problemet, në mënyrë që dhe trajtimi të japë rezultat pozitiv. Ndërsa për kategoritë e veçanta, si gratë shtatzëna, duhet të paraqiten për kryerjen e ekzaminimit të paktën një herë në tre muaj. Si mungesë e ndjekjes së këtyre udhëzimeve, fatkeqësisht përhapja e këtyre sëmundjeve në vendin tonë ka ardhur gjithnjë e më shumë në rritje.